Topi: Politika të dëshmojë kurajo e përgjegjësi

06/10/2011 00:00

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbeten dhe do të jenë aleati
ynë më i madh; aleati strategjik, që na u gjend në ditë shumë të
vështira, atëhere kur diskutohej pikërisht ekzistenca e shtetit
shqiptar”. Kështu u shpreh presidenti i Republikës Bamir Topi, në fjalën
e tij mbajtur në konferencën “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane;
ndërtimi i së ardhmes”.

Kreu i vendit u shpreh se brenda një harku kohor relativisht të shkurtër është e paimagjinueshme që nga një shtet në krizën e mbijetesës dhe ekzistencës, sot Shqipëria të jetë aleat shumë luajal krahas Shteteve të Bashkuara në aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë.
 
“Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve aleate në NATO, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e kam ndierë si politikan, e kam ndierë si qytetar, e kam ndierë në çdo moment. Kujdesi i jashtëzakonshëm për ta kuruar këtë miqësi. Kujdesi i jashtëzakonshëm për ta rritur këtë demokraci që sot e shijojmë së bashku”, tha presidenti.

Në fjalën e tij presidenti Topi ceku edhe realitetin shqiptar aktual duke kujtuar se ‘politikanët shqiptarë shfaqen në publik idhtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit”, thekson Presidenti.
Duke vlerësuar vëzhgimin se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur, Topi shtoi se shqiptarët meritojnë të dëgjohen, duhet të respektohet vullneti i tyre i lirë dhe duhet që produktet politike t’u zgjerojmë, e jo t’u kufizojnë liritë dhe hapësirat e tyre për të ardhmen.

Topi ndër të tjera vuri theksin se Shqipëria është vend aspirues për në Bashkimin Evropian dhe meriton të ketë një sjellje të re politike, një mënyrë të re mendimi dhe veprimi.
 
“Apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose kanë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajo e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës, dhe kështu, për të jetësuar në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë tek të cilat besojmë”, u shpreh presidenti.

Kreu i vendit gjykon se politika duhet të vihet në funksion të qytetarëve dhe t’u shërbejë siç duhet interesave të vendit .

Top Channel