Lideri i Partisë Liberal-Demokrate serbe, Cedomir Jovanovic kërkoi nga
kryeparlamentarja serbe thirrjen urgjente të komisionit parlamentar për
sigurinë, para mbërritjes në Beograd të ndërmjetësit evropian në
dialogun me Kosovën, Robert Cooper.

Jovanovic tha se Serbisë i është shkaktuar një dëm i madh dhe se kredibiliteti i saj në BE dhe në botë do të rrënohet edhe më shumë nëse nuk sqarohen menjëherë të gjitha shkaqet dhe elementet e konflikteve të javës së kaluar në Jarinje të Kosovës.

“Opinionit publik serb për ditë të tëra i është servirur një dezinformim, me krijimin e një atmosfere tensioni kombëtar dhe me pohimet se gjoja në Jarinje është shtënë ndaj qytetarëve të paarmatosur, edhe pse ekzistojnë informata se incidenti është shkaktuar nga sjellja e dhunshme dhe sulmet fizike të grupeve të ekstremistëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it”, deklaroi Jovanovic.

“Ekstremistëve të armatosur serbë nuk u leverdis futja e procedurës së doganimit dhe për shkak të interesave të tyre materiale ata kanë futur në konflikt edhe qytetarët e pafajshëm që jetojnë atje”, nënvizoi ai.

Lideri i liberal-demokratëve tha gjithashtu se disponon fakte për ngjarjet e 26 dhe 27 shtatorit dhe se ato dallojnë në mënyrë drastike nga “faktet” që i paraqiten opinionit publik në Serbi.

Top Channel