Rishfaqet Gaddafi: Libianë, çohuni me miliona

06/10/2011 19:20

Lideri i rrëzuar i Libisë, koloneli Muammar Gaddafi, lëshoi pasditen e sotme një thirrje ndaj të gjithë libianëve, për të dalë me miliona në rrugë për t’i rezistuar marrjes së vendit nga qeveria e përkohshme.

Në një mesazh audio të transmetuar në një televizion sirian, diktatori theksoi se kushtet e jetesës në Libinë e sotme janë bërë të padurueshme.

Koloneli, gjithashtu vendosi në dyshim legjitimitetin e qeverisë së re të vendosur në vend, duke theksuar se ndërsa ai kishte ardhur në pushtet me forcën e votës, ajo ka ardhur me atë të armëve.

Mesazhi mbërriti ndërsa luftime të ashpra janë duke u regjistruar midis trupave të tij besnike dhe ushtrisë së qeverisë së përkohshme, në qytetin e tij të lindjes, Sirte.

Vendndodhja aktuale e Gaddafi-t është e panjohur, por transmetimi i mesazhit në një televizion sirian ka krijuar menjëherë spekulimi për strehimin e tij në vendin arab, gjithashtu i rrezikuar nga një ndërhyrje perëndimore.

Top Channel