Idrizi: Greqia po ndërhyn në census

07/10/2011 00:30

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi denoncoi përpjekjet e qarqeve greke që sipas tij po ndërhyjnë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Idrizi foli për veprimtari anti-shqiptare të konsullit grek në Korcë, ndërsa kërkoi nga shteti shqiptar që të mos e lejojë këtë veprim të paligjshëm të tij.

“Ky njeri është duke shkelur ligjin shqiptar të censusit dhe është duke inkurajuar qytetarët shqiptarë të shkelin ligjin mbi censusin. Lajmet për fotokopjime të formularëve dhe dorëzimit të tyre në konsullatën greke të Korcës, janë dëshmi e qartë e dhunimit të ligjit shqiptar për anonimitetin e deklarimeve. Përfaqësuesit e minoritetit, që ankohen se gjoja amendamentet tona cënojnë anonimitetin e deklaruesit, duhet të dijnë se ky anonimitet nuk cënohet kur të dhënat personale mbeten dhe përpunohen brenda INSTAT-it, por ato cënohen kur dorëzohen pranë një shteti të huaj. Ne i bëjmë thirrje të organeve kompetente, që të marrin të gjitha masat e duhura që ky njeri të mos zhvillojë veprimtarinë e vet anti-shqiptare”, deklaroi Idrizi.

Kreu i PDIU-së, garantoi se popullata me orgjininë came, i njeh mjaft mirë, jo vetëm pronat e patundshme, por edhe ato të luajtshme.

“Shqiptarët e Camërisë, jo vetë që i dinë pronat, shtëpitë, lugët, pirnjtë që kanë lënë në atë genocid dhe atë masakër. Që në vitin 1946, në konferencën anti-fashiste came, janë evidentuar pronat e shqiptarëve të Camërisë”, u shpreh kryetari i PDIU-së.

Top Channel