Kryetari i Parlamentit të NATO-s, Karl Lamers ka deklaruar se Aleanca duhet t’i rishikojë me vëmendje planet për reduktimin e trupave në Kosovë.

Duke folur në konferencën vjetore parlamentare të NATO-s, Lamers ka nënvizuar se trupat ndërkombëtare duhet të qëndrojnë në Kosovë edhe për aq kohë sa është e nevojshme vendosja e stabilitetit.

“Është në interes të NATO-s ndërtimi i një shoqërie multietnike, konsolidimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe rimëkëmbja e ekonomisë”, ka pohuar Lamers.

KFOR-EULEX presin udhëzime nga Brukseli

Ndërkohë, trupat e KFOR-it dhe EULEX-i në Kosovë presin instruksione nga Brukseli për veprimet që duhen të ndërmarrin në pjesën veriore të vendit.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ka qëndruar gjatë ditëve të fundit në Bruksel, pikërisht për konsultime.

Ndërkohë që më vonë gjatë ditës ai do të mbajë një konferencë për shtyp në Prishtinë, ku do të flasë për gjendjen në veri dhe incidentin e 27 shtatorit në Jarinje.

Nga hetimet e deritanishme, shkruajnë mediat kosovare, sulmi ka qenë i organizuar posacërisht ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Top Channel