Argjentina shkatërron Kilin

08/10/2011 17:05

Kombëtarja e Argjentinës, e udhëhequr nga i përhershmi Lionel Messi, i dha një mësim të mirë Kilit, në një fitore 4-1 në ndeshjen e parë kualifikuese të Amerikës së Jugut për Botërorin e 2014-s.

Takimi u zhvillua në Buenos Aires, në mëngjesin e së shtunës, me orën shqiptare. Ylli i Barcelonës në kampionatin spanjoll, Messi, realizoi njërin prej golave dhe shërbeu një asist për Higuain, në një ditë të shkëlqyer përpara portës, siç vërtetojnë edhe tre golat e tij.

Në ndeshjen e parë zyrtare të trajnerit Sabella, i cili morri në dorë kombëtaren pas dështimit në Kupën e Amerikës në verë, binte në sy sulmi i formuar vetëm nga dyshja Messi-Higuain dhe jo nga tredhëmbësi i zakonshëm, në të cilën përfshihet edhe Aguero ose Tevez.

Një tjetër madrilen, Di Maria, luajti pas dy pykave, ndërsa ra në sy lënia në stol e yllit të Manchester City në Premier League, Sergio Aguero.

Në ndeshjet e tjera elimantore, Uruguai arriti një fitore të rëndësishme në Montevideo ndaj Bolivisë, me rezultatin 4-2. Heroi i takimit ishte napolitani Cavani, autor i një triplete, ndërsa një ndeshje të mirë zhvilloi edhe interisti Forlan.

Brazili, i kualifikuar si një vend pritës në Botërorin e 2014-s, zhvilloi një miqësore në Kosta Rika, të fituar me rezultatin minimal 1-0. Autori i golit ishte Neymar, i shërbyer nga një asist i Ronaldinhos.

Top Channel