Situata në Jemen

09/10/2011 12:20

Opozita në Jemen e priti me skepticizëm deklaratën e presidentit Ali Abduallah Saleh se brenda pak ditësh do të japë dorëheqjen, duke i dhënë fund kështu sundimit të tij prej mbi tre dekadash.

Kreu i shtetit e bëri këtë pohim të shtunën gjatë një transmetimi televiziv. Por, zëdhënësi i opozitës, Mohamed al-Sabri, tha se deklarata nuk ka qëllim tjetër përveçse të tërheqë vëmendjen para takimit të së martës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli mblidhet pikërisht për të diskutuar përpjekjet e dështuara për ta bindur Salehun të nënshkruajë një marrëveshje për kalimin e pushtetit.

Sipas Al Abri, kanë kaluar katër muaj tashmë që kur presidenti Saleh pranoi planin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik për kalimin e pushtetit. Po të kishin qenë serioze qëllimet e tij, atëherë duhet ta jepte dorëheqjen menjëherë, argumenton zëdhënësi.

Që prej muajit prill, Saleh ka lënë tre herë përshtypjen se ishte pranë largimit nga pushteti dhe për çdo herë është tërhequr para se të nënshkruhet marrëveshja e transferimit të pushtetit. Plani i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik i bëri thirrje presidentit ta dorëzojë pushtetin menjëherë dhe të lejojë një koalicion partish të formojë qeverinë e unitetit kombëtar.

Dyshuese u shpreh edhe fituesja e Nobelit të Paqes për këtë vit, Tavakul Karman, duke thënë dje se veprimtarët e lëvizjes anti-qeveritare nuk besojnë se presidenti do të japë dorëheqjen.

Jemeni vazhdon të mbetet i pastablizuar. Të shtunën, një shpërthim pranë një komisariati policie i mori jetën një polici e plagosi disa të tjerë. Dyshimet për sulmin, siç thonë vetë zyrtarët jemenitë bien mbi militantët e Al Kaedës. Terroristët e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në disa qytete në jug të vendit duke përfituar nga mungesa e sigurisë në këto zona, rrjedhojë e revoltës kundër Salehut.

Top Channel