Forcimi i partneritetit me Kosovën, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Pas formimit të Qeverisë, të rifillojmë Dialogun Strategjik për paqe dhe stabilitet “Greqia ndodhet në një udhëkryq, por edhe kur gjen rrugëdalje, bën dy hapa para dhe një pas”. Kështu vlerësojnë specialistët e trojkës, që prej disa ditësh ndodhen në Athinë për të bërë vlerësimin e zbatimit të reformave dhe masave anti-krizë, në mënyrë që të aprovojnë ose jo, këstin e gjashtë të ndihmës ndaj Greqisë.
Duke paralajmëruar se masat e planit të shpëtimit mund të deshtojnë nëse nuk zbatohen reformat strukturore, ata i vënë theksin jo vetëm formulimit të ligjeve, por edhe zbatimit të tyre që merr mjaft kohë, ndërsa shpesherë nuk ekzistojnë strukturat e nevojshme, sidomos në vjeljen e taksave apo detyrimeve financiare të prapambetura.
Shembulli më i qartë është skandal i ri me pensionet false të Entit të Sigurimeve Shoqërore (IKA), ku shteti ka humbur mbi 15 miliard euro në dhjetëvjecarin e fundit.
Pas përfundimit të regjistrimit të të gjithë pensionistëve, është rezultuar se 109 000 vetë nuk ekzistojnë, ndërsa pensionet i përfitonin të afërmit e tyre dhe ende nuk dihet se si do të procedohet për kthimin e shumave të dhëna.
Në këtë kuadër, ende pa përgjigjje është dhe fakti se si do të veprohet me depozitat e grekëve në Zvicër, ku konsiderohet se ndodhen mbi 20 miliard euro kapitale të padeklaruara tek organi i tatimtaksave.
Shteti nuk ka krijuar akoma një nomenklaturë përkatëse për t’u marrë këtyre personave që kanë kryer në thelb evazion fiskal, tatimin përkatës, për arsye se depozitat në shumicën e rasteve nuk janë me emrat e tyre, por të kompanive off-shore. Mediat vendase shkruajnë se ata që po paguajnë realisht krizën janë rrogëtarët dhe pensionistët.
Gazeta “Ethnos”, e së dielës e ka quajtur si, “Natën e Shën Bartolomeut”, atë të së enjtes së kaluar, kur në parlamentin grek u paraqit projektligji i ri për reduktimin e rrogave, pensioneve dhe shkallës së tatimit mbi të ardhurat, sipas të cilit familjet greke humbasin 5.5 miliard euro.
Brenda një viti e gjysmë në kuadrin e masave financiare, qytetarët grekë kanë paguar me reduktimet e të ardhurave dhe taksat e reja mbi 31 miliard euro.
Top Channel