Kush e ndot më shumë Tiranën?

10/10/2011 00:00

Përmirësimi ndotjes që shkaktojnë mbeturinat dhe riciklimi i tyre janë
në fokusin e një studimi rreth mbrojtjes së mjedisit në Tiranë.
Rezultatet e studimit ku u pyetën 1500 qytetarë, u prezantuan në
ambasadën gjermane në kuadrin e veprimtari të “Tetorit Gjerman”.

Pyetjes se kush janë shkaktarët më kryesorë të ndotjes, 797 të anketuar i jane përgjigjur se janë bizneset, ndërsa pjesa tjetër thanë se shkaktarët janë banorët.

Studimi është ndalur edhe në problematikën e përdorimit të qeseve të plastmasit ku nga 899 të anketuar rezulton se ata përdorim më pak se 5 qese në ditë, 301 të tjerë më pak se 10 qese dhe pjesa tjetër më pak se 20.
E ndërsa në perëndim ka nisur pagesa për qeset me synimin uljen e përdorimit të tyre në Shqipëri studimi tregon se një aplikim i tillë në vendin tonë nuk është i mirëpritur pasi 406 të anketuar e quajnë si një nismë të keqe, 377 të tjerë si të mirë dhe 269 të pyetur jo edhe aq mirë.

Pavaresisht përpjekjeve për ta mbajtur kryeqytetin të pastër nga ndërrmarrjet e mbledhjes së plehrave, studimi ka nxjerrë këto përfundime kur qytetarët janë pyetur nëse Tirana është më tepër e pastër apo e ndotur.905 persona thonë aspak e pastër, 288 të tjerë e pastër dhe 106 thonë ndoshta jo.

Shqetësues paraqitet edhe situata e riciklimit pasi 708 të anketuar nuk e dinë se ku mund të riciklohet në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër kanë njohuri të pjesshme. Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Muller Holtkemper ka renditur disa prej aspekteve më problematike që përballet Shqipëria.

“Në lidhje me problematikën e mbrojtjes së mjedisit, përse është një problematikë kaq e rëndësishme për Shqipërinë? Do të doja të përmendja katër faktorët kryesorë: Problematika e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane e njohur dhe tejet e dukshme në ditët e sotshme. Dihet nga të gjithë që substancat e dëmshme mund te kalojne nga sipërfaqja e tokës në ujin e pijshëm dhe të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme edhe shëndetin tonë. Pika e dytë që do të përmendja është potenciali turistik që ka Shqipëria, i cili nuk mund të shfrytëzohet mjaftueshmërisht, nëse nuk mënjanohet dhe zgjidhet problemi i mbetjeve. Do të doja të përmendja edhe cështjen e riciklimit te subsancave që mund të gjenerojnë nga përpunimi i këtyre mbetjeve, që është një potencial ende i pashfrytëzueshëm, ose pak i shfrytëzuar deri më tani. Pika e katërt është respektimi i standarteve mjedisore sipas standardeve europiane, një cështje që në Shqipëri mund të veprohet fare mirë edhe jo politikisht”, tha ambasadorja.

Gjithashtu ambasadorja gjermane ka folur edhe për një fushatë publicitare organizuar në Belin me moton, ”E rregullojmë ne ketë punë”, që synohet të organizohet edhe në Shqipëri me moton “E bej për veten time”.

Ambasadorja Holtkemper ka refuzuar të komentojë ligjin e miratuar në parlament për menaxhimin e mbetjeve të integruara, por tha se duhet të ndërtohen strukturat e duhura.

Top Channel