Burgosja e Tymoshenko, BE reagon ashpër

11/10/2011 18:55

Dënimi me 7 vjet burg i ish-Kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshenko, konsiderohet nga Bashkimi Europian si shumë i dëmshëm në marrëdhëniet mes Kievit dhe Brukselit.

Gjatë një konference për shtyp, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes së politikës së Jashtme te BE-së, Catherine Ashton, tha se gjyqi kunder Timoshenkos nuk respekton standartet ndërkombëtare.

”Verdikti vjen pas një gjyqi që nuk respekton standartet ndërkombëtare siç ndodh në një proces të ligjshëm, të ndershëm, transparent dhe të pavarur, për të cilin kemi bërë vazhdimisht thirrje, përmes deklaratave të mëparshme. Kjo për fat të keq konfirmon ate që drejtesia zbatohet në menyre selektive, në procedimet e motivuara politikisht të udheheqesve të opozitës dhe antarëve të ish-qeverisë”.

Kocijançiç tha se Bashkimi Europian do të reflektojë në politikat e tij ndaj Ukrainës. “Mënyra se si autoritetet ukrainase do të respektojnë në përgjithësi vlerat universale, ligjin dhe veçanërisht si do të menaxhojne këto raste, kjo rrezikon të sjellë probleme të thella në marrëdhëniet dypalëshe BE-Ukrainë, përfshi për përfundimin e marrëveshjes së Asocimit. Gjithashtu cënohet dialogu ynë politik dhe bashkëpunimi më i gjerë”.

Ndërkohë, grupi i të drejtave të Njeriut, “Aminsty International”, tha se dënimi me shtatë vjet burg është i ekzagjeruar dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të saj. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, i cili nënshkroi marëeveshjen e gazit me Timoshenkon në vitin 2009 tha se nuk e kupton arsyen e dënimit të saj.

Pas shpalljes së verdiktit, Timoshenko deklaroi se do të apelojë kundër tij dhe do të luftojë për Ukrainen deri në frymën e fundit. Sipas saj, presidenti dhe rivali i saj, Viktor Janukoviç, orkestroi gjithçka për ta hequr qafe përpara zgjedhjeve presidenciale.

Pas shpalljes së vendimit, përkrahësit dhe kundërshtarët e saj u përleshën jashtë sallësh së gjyqit. Disa persona u arrestuan. Ish-Kryeministrja e Ukrainës dhe një nga protagonistet e “Revolucionit Portokalli” u dënua me 7 vjet për abuzim detyre, që lidhet me marrëveshjen e gazit të vitit 2009, të nënshkruar me Rusine. Gjykatësi Rodion Kirejev tha se ajo duhet të paguajë edhe 186 milione dollare për dëmin e shkaktuar si dhe iu ndalua të mbajë postin politik për 3 vjet.

Top Channel