PS: Raporti i KE, instrument i rëndësishëm

12/10/2011 21:35

Partia Socialiste ka dalë me qëndrimin e saj ndaj progres-raportit të hartuar nga Komisioni Evropian, duke e vlerësuar atë si një material shumë të rëndësishëm.

“Raporti i KE është një instrument i rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e PS.

Partia më e madhe e opozitës vlerëson gjithashtu Komisionin Evropian për analizën “e kthjellët” që i bëhet Shqipërisë në raport-progres.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste nënvizon vullnetin e opozitës për të ushtruar përgjegjësitë që i takojnë.

Reagimi i PS erdhi pasi ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i dorëzoi progres-raportin shefit të opozitës, Edi Rama.

Më herët gjatë ditës, Sequi ia dorëzoi atë presidentit të Republikës Bamir Topi, i cili kërkoi nga partitë politike që të përshtasin një qëndrim të vërtetë evropian.

Ndërsa në takimin me kryeministrin Berisha, ky i fundit bëri përgjegjëse opozitën për mungesën e saj në Parlament për të votuar ligjet që kërkojnë tre të pestat.


Komisioni Europian
në raportin e tij konkludon se, megjithë progresin e bërë, kushtet për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë nuk janë plotësuar ende.

Ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle kur paraqiti strategjinë e zgjerimit, tha se Shqipëria nuk i përmbushi kritert e parashikuara, duke e vënë theksin tek kriza politike.

Top Channel