Është zyrtarizuar më në fund njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti
afrikan i Gabonit, pas shumë konfirmimesh e përgënjeshtrimesh.

Lajmin e ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila përmes një komunikate ka saktësuar se ka pranuar notën verbale të Republikës së Gabonit.

“Ashtu sic ishte paralajmëruar më 9 shtator nga zëvendëskryeministri Pacolli, ky shtet ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në komunikatë.

Në dokumentin në fjalë saktësohet se, nota verbale mbërriti në Ministrinë e Punëve të Jashtme përmes misionit diplomatik në Nju Jork.

Me këtë njohje, numri i shteteve që kanë pranuar Republikën e Kosovës shkon në 83, numër ky që pritet të rritet me konfirmimet që shpresohet të vijnë nga Nigeria dhe Bregu i Fildishtë.

Ditën e martë, Kosova u njoh nga shteti i Kuvajtit, i cili njoftoi se së shpejti do të vendosë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh me shtetin e ri.

Top Channel