Lëvizja Vetëvendosje organizoi një aksion simbolik paraditen e së shtunës në qendër të Prishtinës. Në shënjtestër të aksionit ishte Ministria e Brendshme e Kosovës.

Aktivistët vendosën në rrethinat e godinës së ministrisë një objekt të cilin e quajtën “hajmali”, për të parodizuar disa deklarata të ministrit Bajram Rexhepi.

“Kur lëvizja Vetëvendosje shqetësohej për shqiptarët në pjesën veriore të vendit duke i vizituar ata, duke dëgjuar problemet e tyre e duke i ngritur ato si çështje në Kuvendin e Kosovës, Bajram Rexhepi na përgjigjej me shakanë e tij të pakripë: “Atyre që kanë frikë duhet t’u shkruajmë hajmali””, thuhet në një deklaratë të lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas kësaj lëvizjeje, nuk ka kaluar as java nga të tilla deklara të ministrit dhe tre shqiptarë u rrahën e u torturuan teksa po bënin punët e tyre në veri të Mitrovicës.

Vetëvendosje në deklaratën për shtyp deklaron se ai që ka nevojë për hajmali është vetë ministri, sepse flet fjalë të mëdha në lidhje me problemin e veriut, ndërkohë që veprat i ka të pakta.

“Bajram Rexhepi, Hashim Thaçi dhe secili qeveritar është shumë i brengosur për sigurinë e vet. Ata lëvizin me makina të blinduara e me eskorta edhe brenda Prishtinës, ndërsa në veri nuk guxojnë as të shkelin”, vazhdon deklarata e Vetëvendosjes.

Kosova, sipas saj, është pa integritet territorial pikërisht sepse ka për ministra individë joseriozë dhe për kryeministër një gënjeshtar publik.

Top Channel