PS, kërkesë Topallit: Masa për Berishën

17/10/2011 00:00

Deputetët socialistë të Tiranës i kërkojnë kryetares së Kuvendit marrjen
e masës disiplinore ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke e perjashtuar
nga pjesëmarrja në seancat plenare për 15 ditë, pas fyerjeve dhe
kërcënimeve që Berisha bëri ndaj deputetit, Sajmir Tahiri.

“Ne seancen e datës 13 Tetor 2011, – thuhet në këtë kërkesë,- deputeti Sali Berisha, në mënyre të përsëritur gjatë fjalës së tij, përdori ndaj deputeteve të opozitës fjalë fyese dhe kërcënuese, duke shkelur jo vetëm çdo rregull etik dhe moral, por njëkohësisht dhe përcaktimet e Rregullores së Kuvendit sa i përket rregullit dhe sjelljes së deputetëve në Kuvend gjatë seancave plenare”.
 
Deputeti Sali Berisha është drejtuar me fjalë fyese ndaj deputetëve të opozitës duke mos kursyer as kërcënimet ndaj deputetit Saimri Tahiri të cilit iu drejtua me shprehjen “Do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucën”. Për më tepër, kjo shprehje dhe ky fjalor, është sjellje e përsëritur e të njëjtit deputet, edhe pse nuk është ndëshkuar kurrë siç parashikon Rregullorja e Kuvendit.

‘Për këto arsye, – vijon kërkesa e deputetëve socialistë, -duke besuar se sjellja dhe fjalori i përdorur nga deputeti Sali Berisha nuk përputhet kërkund me frymën e dialogut politik konstruktiv në sallën e parlamentit, me respektin ndaj përfaqësuesve të opozitës por edhe ndaj vetë qytetarëve, por mbi të gjitha shkel haptazi përcaktimet e Rregullores së Kuvendit për sjelljen e deputetëve në sallën e Parlamentit.

“Bazuar në nenin 65, pika 2 të Rregullores kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit për të marrë masën disiplinore të ndalimit 15 ditë të pjesemarrjes në seance plenare ndaj deputetit Sali Berisha si dhe me sanksionin financiar të mbajtjes së pagës për aq ditë sa zgjat masa disiplinore”, thuhet ne fund të kërkesës së deputetëve socialist’.

Byrroja e Kuvendit rrëzon kërkesën

Ndërkohë, gjatë orëve të pasdites, byroja e Kuvendit, e mbledhur posacërisht, ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Partia Socialiste.

Madje, byroja e Kuvendit doli me qëndrimin se fal deputetin Tahiri, pasi ky i fundit sipas saj shkeli rregulloren duke provokuar kryeministrin Berisha. 

Top Channel