Trupat keniane hyjnë në Somali

17/10/2011 16:20

Trupat keniane kanë hyrë në zona të Somalisë që prej mëngjesit të sotëm, në një operacion për të luftuar organizatën terroriste islamike al-Shabab, e cila kontrollon pjesë të gjera të territorit somalez, lajmëruan autoritetet keniane në mesditë.

Ministri i Jashtëm i Kenias, Masika Wetangula, e cilësoi këtë operacion si një të drejtë të vendit për t’u mbrojtur nga sulmet e vazhdueshme të organizatës së lidhur me Al-Kaedën.

Megjithatë, një diplomat somalez në OKB u shpreh se një aksion i tillë përbën një “shkelje serioze të sovranitetit” të vendit, ndërsa paralajmëroi që pretendimi i luftës ndaj al-Shabab mund të jetë vetëm një pretekst për të fshehur atë që mund të jetë një pushtim i disa zonave të diskutueshme kufitare mes shteteve.

Është ende i paqartë qëndimi i Magadishus zyrtar, pasi Ministri Wetangula siguroi se aksioni është aprovuar më parë nga autoritetet e Somalisë. Sipas dëshmitarëve pamorë, disa vargje të gjata mjetesh ushtarake, të shoqëruar nga dhjetëra tanqe, shkelën tokën somaleze.

Ndërhyrje të mëparshme ushtarake në Somali, nga SHBA në vitin 1992 dhe Etiopia në 2006-n, kanë përfunduar në tërheqje të turpshme. Korrespondentë të mediave ndërkombëtare në Kenia theksojnë se ndërhyrja nuk është e përkrahur gjerësisht në popullësi, me shumë banorë që kanë frikë se vendi i tyre mund të përfshihet në një konflikt të gjatë dhe të stërzgjatur.

Disa qytetarë perëndimorë janë marrë peng në Kenia nga militantë të lidhur me Somalinë, shtet i cili nuk ka një qeveri efektive që pas një grushti shteti të vitit 1992 dhe ku nga mosfunskionimi total i pushtetit, al-Shabab ka marrë në dorë kontrollin mbi shumë rajone, duke vendosur arbitrarisht zbatimin e ligjit fetar, sheriatit.

Terroristët somalezë: Do të bëjmë gërmadhë Najrobin

Grupimi terroristi islamik, Al-Shabab, i bëri një thirrje Kenias që të tërheqë menjëherë trupat e saj ushtarake nga Somalia ose të përgatitet të përballet me beteja të përgjakshme.

Zëdhënësi i “Al-Shabab”, Mohamud Rage, lëshoi një komunikatë për shtyp, në të cilën kërcënon me sulme në kryeqytetin kenian, Najrobi.

Më parë gjatë ditës, Kenia lëshoi një sulm të koordinuar mbi pjesën e veprimit të Al-Shabab në shtetin mosfunksional të Somalisë, sulm në të cilin marrin pjesë tanqe të shumtë dhe avionë luftarakë.

”Ne do të mbrojmë veten tonë. Kenia bën mirë që të mendojë edhe një herë qëndrimin e saj. Ne e njohim luftën, prandaj nuk e duam, por nëse ata këmbëngulin, i garantojmë se ndërtesat e larta të Najrobit do të bëhen gërmadha. Kemi luftuar ndaj qeverive më të forta e më të vjetra se ajo e Kenias dhe i kemi mposhtur”, shkruhej në deklaratën kërcënuese.

Ndërkohë, një burim brenda Ministrisë Keniane të Mbrojtjes raportoi për një ditë të parë të suksesshme sulmi, me forcat ushtarake që duket se kanë larguar prezencën e Al-Shabab mbi një zonë kufitare.

Top Channel