Lirohet ushtari Gilad Shalit

18/10/2011 08:50

Hamas u ka dorëzuar ndërmjetësve egjiptianë ushtarin izraelit Gilad Shalit, pas pesë vjet pengmarrje, në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin.

Lajmin e kanë bërë të ditur drejtues të Hamas. Mbi 1 mijë të burgosur palestinezë do të lirohen në kuadër të marrëveshjes, nga të cilët 477 kanë filluar të lirohen vetëm të martën.

Rreshteri Shalit u rrëmbye në vitin 2006 nga militantët e Hamasit, të cilët hynë përmes një tuneli në Izrael. Ditën e hënë, gjykata Supreme e Izraelit rrëzoi një peticion të familjarëve të viktimave të sulmeve të militantëve për të shtyrë shkëmbimin.

Ngjarjet e ditës po zhvillohen në kuadër të një plani të mirëorganizuar. Që në orët e para, Shalit, 25 vjec, është marrë në kalimin e Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit, duke iu dorëzuar negociatorëve egjiptianë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve izraelitë.

Më vonë është parashikuar që ai të transferohet në kalimin Kerem Shalom mes Egjiptit dhe Izraelit. Pasi u ka bërë një telefonatë prindërve dhe i është nënshtruar një kontrolli mjekësor, rreshteri do të fluturojë me helikopter në bazën ajrore Tel Nof, në Izrael.

Në të njëjtën kohë, 477 të burgosurit e parë palestinezë do të kalojnë në Egjipt nga kalimi Kerem Shalom, pas një udhëtimi 10-minutësh nga Rafahu.

Herët gjatë së martës, një autokolonë e madhe të burgosurish u largua nga burgu në jug të Izraelit, ndërsa një grup më i vogël la një tjetër burg në qendër të vendit, nën masa të rrepta sigurie. 550 të burgosurit e tjerë do të lirohen muajin e ardhshëm.


Marrëveshja
për lirimin e Shalit u arrit më 11 tetor. Ajo u komunikua nga vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili njoftoi edhe lirimin e palestinezëve.

Top Channel