Nuk ka marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të serbëve në veri dhe përfaqësuesve të KFOR-it dhe EULEX-it për heqjen e barrikadave në këtë pjesë të Kosovës.

Një takim që u mbajt të mërkurën dështoi për shkak të kërkesave të serbëve me të cilat duket se nuk u pajtuan përfaqësuesit e KFOR-it.

Takimi dështoi pasi serbët kanë pranuar t’i largojnë barrikadat, por me kusht që shfrytëzimi i rrugëve të bëhet në mënyrë selektive.

Cka do të thotë se KFOR-i do të mund t’i shfrytëzonte rrugët në veri por vetëm për nevojat e veta, sic janë transporti i ushtarëve ose furnizimi i tyre me ushqim, duke përjashtuar dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Këtë e konfirmoi edhe sekretari për Kosovën në qeverinë serbe Oliver Ivanovic. Ai, nëpërmjet telefonit, tha se kërkesat e tyre shkojnë në atë drejtim që deri në një zgjidhje politike për pikat “administrative” në veri, serbët nuk do të pranojnë prezencën e autoriteteve të Republikës së Kosovës në këtë pjesë.

Ivanovic po kështu bëri të ditur se përfaqësuesi i KFOR-it është larguar i revoltuar nga takimi me serbët, por po ashtu nuk ka lënë të nënkuptohet se barrikadat do të largohen me forcë.

Drews: Qytetarët e veriut nuk e kaluan testin

Më herët gjatë ditës, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews pranoi se dy autokolonat e paqeruajtësve, të nisura për në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, u ndaluan nga serbët në barrikada.

Duke theksuar se në këtë aspekt ndihej shumë i zhgënjyer, gjenerali u shpreh gjatë një vizite në Lipjan se qytetarët në veri nuk e kaluan testin.

Përpjekjet e KFOR-it për të depërtuar nëpërmjet rrugëve tokësore në veri të Kosovës dështuan gjatë së martës, pavarësisht se afati i dhënë serbëve për të larguar barrikadat kishte skaduar.

Autokolonat e KFOR-it, të shoqëruara me autoblinda dhe mjete të tjera ushtarake, arritën të futen deri në fshatin Cabër të Mitrovicës, fshati i fundit i banuar me shqiptarë.

Pas qëndrimit disaorësh ato u kthyen mbrapsht, pasi dështoi arritja e marrëveshjes me përfaqësuesit e strukturave ilegale serbe për të kaluar në rrugë tokësore.

Top Channel