Borxhi, interesat e bonove të thesarit ulen

22/10/2011 08:25

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit për lekun shqiptar solli efektet e para këtë javë, kur interesat e bonove të thesarit të qeverisë u reduktuan, informoi e përditshmja “Shqip”, të shtunën.

Bonot 12-mujore të qeverisë u shitën për 7.5 për qind në ankandin e fundit, duke rënë me 0.17 për qind në krahasim me ankandin paraardhës. Banka e Shqipërisë e uli interesin bazë në fillim të këtij muaji nga 5.25 në 5 për qind.

Qeveria pritet të kursejë një pjesë të kostos së shërbimit të borxhit publik si pasojë e këtij vendimi gjatë muajve të ardhshëm.

Borxhi i brendshëm në Shqipëri është i emetuar pothuajse tërësisht në lekë dhe i kushton qeverisë mesatarisht 8 për qind në vit. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e interesit pati si synim të rrisë kreditimin e ekonomisë, pasi u pa se inflacioni vjetor qe vetëm 2.8 për qind në shtator.

Top Channel