Komanda e KFOR-it në Kosovë kanë deklaruar të martën se vendosja e
kushteve për lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës është e papranueshme.

“Liria e lëvizjes për të gjitha palët nënkupton organizatat ndërkombëtare dhe tërë popullin. Kushtet, liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in dhe jo për EULEX-in, janë të papranueshme”, ka deklaruar zëdhënësi Uve Novicki.

Novicki ka theksuar se komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ua ka bërë të qartë këtë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në takimin e së shtunës.

“Gjenerali Drews tha se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për këdo dhe në cdo kohë. Cdo gjë tjetër ndryshe nga kjo është e papranueshme”, ka nënvizuar Novicki.

De Marnhac, dy variante serbëve të veriut

Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac u ka propozuar serbëve të veriut të Kosovës dy variante për kthimin e lëvizjes së lirë.

Sipas së përditshmes serbe “Blic”, dy variantet janë: 1) EULEX të lëvizë nëpër rrugë, ndërsa doganierët kosovarë të dërgohen me helikopterët e misionit; 2) EULEX të ofrojë logjistikë për doganierët.

Sipas burimit mediatik, asnjë nga këto variante nuk është pranuar nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, pasi ata nuk pranojnë asnjë lloj pranie të doganierëve kosovarë.

Krerët serbë nuk ranë dakord me Tadic

Serbët e veriut të Kosovës nuk u pajtuan me presidentin Tadic, me të cilin patën një takim për pesë orë me radhë.

Ata thanë se është e vështirë të pranohet që EULEX-i të qarkullojë lirshëm nëpër këtë zonë pasi nuk ka garanci se nuk do të transportojnë punonjësit e doganave dhe Policisë së Kosovës.

Por, po ashtu, sipas tyre, EULEX-i është duke zbatuar planin e Ahtisarit që nënkupton pavarësinë e Kosovës.

Katër kryetarët e komunave të veriut thanë se nuk është arritur një progres substancial në bisedimet me presidentin serb.

Sllavisha Ristic, kryetar i Zubin Potokut, tha se Tadic kërkoi lëvizjen e lirë për EULEX-in, por për këtë duhet pyetur populli.

Top Channel