Rama: Kundër ligjit të plehrave

25/10/2011 00:00

Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga kongresi i socialistëve, Edi Rama deklaron se është gati programi i ri politk, që sipas kryetarit të Partisë Socialiste do të udhëheqë opozitën drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia Socialiste, thotë kryetari i saj Rama, ka bërë gati projekt-programin politik që zgjidh sipas tij problemet e mprehta të tranzicionit shqiptar.

Këtë deklarim zoti Rama e bëri në mbledhjen e përjavëshme të grupit parlamnetar, ku gjatë një fjalimi disa minutësh tregoi cështjet kryesore tek të cilat deputetët dhe e gjithë trupa politike e socialistëve është e fokusuar. Së pari cështja e importit të mbeturinave për të cilën opozita thotë se mbështet edhe idenë e një referendumi popullor.

“Të eksplorojmë mundësinë e një referendumi popullor për importin e plehrave”, tha Rama.

Por po kaq sensibilitet shkakton për opozitën edhe kostoja e jetesës së shqiptarëve. Kryetari Rama thotë se shqiptarët jetojnë në varfëri, e për këtë arsye duhen reduktuar taksat mbi ushqimet bazë, mbi ilacet dhe energjinë.

“Jemi në përfundim të projektit që përcakton qartë rrugëtimin tonë drejt fitores së zgjedhjeve. Kemi një alternativë të re për ndryshim radikal të sistemit të taksave”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij duke iu rikthyer jetës politike në oborrin e socialistëve, zoti Rama iu kushtoi këtë fjali funksionimit të brendshëm të partisë më të madhe opozitare, duke paralajmëruar se për opozitën janë ndezur motorët e parë të garave të ardhshme politike.

Top Channel