SHBA: Misioni i NATO-s në Libi mund të vazhdojë

25/10/2011 16:00

Pavarësisht vdekjes së Muammar Gaddafit dhe deklaratës së çlirimit nga qeveria e përkohshme, misioni i NATO-s në Libi mund të vazhdojë, lajmëroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta.

Deklarata erdhi gjatë një vizite zyrtare në Japoni gjatë ditës së martë. Ajo bie ndesh me thëniet e admiralit amerikan, James Stavridis, komandant i operacionit në Libi, i cili u shpreh se misioni mund të përfundonte që në 31 tetor.

”Është vetë qeveria e përkohshme ajo që dëshiron që NATO ta mbështesë në fazat e para të vendosjes së autoritetit në vend”, informoi Panetta. “Natyrisht, nuk jam në gjendje të flas për atë që mund të vendosë të bëjë NATO dhe për nivelin e përfshirjes së mundshme”.

Në fjalën e tij, funksionari i lartë i shtetit amerikan shtoi se përveç nevojës urgjente për të vendosur rendin në vend, Libia përballet dhe me një krizë mjekësore. “Për momentin, shqetësimi ynë kryesor është që me mijëra të plagosurit të marrin asistencë mjekësore dhe medikamente”, shtoi Panetta.

Shqipëria, si antare e NATO-s, në mungesë të kapaciteteve bombarduese, ofroi gjatë fushatës libiane lirinë e përdorimit të hapësirës sonë ajrore, detare e tokësore. Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha përshëndetën rënien e regjimit të Gaddafit, por nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Tiranës zyrtare mbi mundësinë e dërgimit të trupave në vendin afrikan, në rast se një mision paqeruajtës do të aprovohet.

Top Channel