Fondi shqiptaro-amerikan “bashkon” Berishën e Bashën

25/10/2011 23:03

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit së bashku me Fondacionin me të njëjtin emër, që kanë të njëjtin qëllim, ndihmën financiare për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri kanë mbledhur në mbrëmje në Pallatin e Brigadave personalitete të larta të politikës dhe jetës ekonomike në vend.

Fondi shqiptaro-amerikan i zhvillimit, që vepron prej 15 vjetësh në Shqipëri, bashkëpunon me cdo qeveri shqiptare për realizimin e projekteve të saj.

Sipas presidentit të Bordit Drejtues të Fondit, Michael Granoff, qëllimi i fondit në 15 vjet aktiviteti në Shqipëri mbetet i njëjtë, përmirësimi i jetës së cdo qytetari përtej cdo paragjykimi politik. Sipas zotit Granoff arritja më e rëndësishme e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit është rritja e numrit të vendeve te punës, të krijuara nëpërmjet investimeve direkte dhe indirekte të kryera në Shqipëri.

Për Kryeministrin Berisha projektet e Fondit në Shqipëri janë një histori e vërtetë suksesi dhe kanë kontribuar për një ndryshim thelbësor të ekonomisë së tregut të lirë në vend. Kryeministri Berisha vlerësoi veçanërisht kontributin e Fondit në këshillat e çmuara që ka dhënë për qeveritë shqiptare në përpjekjet e tyre për të ndërtuar këtu tregun e lirë.

Pritja e dhënë nga Fondi Shqiptaro amerikan i Zhvillimit ishte edhe një rast i mirë për shfaqjen së bashku në publik të Kryeministrit, Sali Berisha dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Lulzim Basha.

Që kur zoti Basha është zgjedhur në këtë post, kryetari demokrat i Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri Berisha nuk ishin shfaqur së bashku, ndoshta për të forcuar idenë se zoti Basha po i merr vendimet për kryeqytetin i pandikuar nga Kryeministri Berisha dhe se, të paktën tani për tani, ai nuk është i interesuar për politikën në nivelin më të lartë të saj.

Top Channel