Tajlandë, Kryeministrja: Në mëshirë të natyrës

26/10/2011 18:25

Të gjitha zonat e Bangkokut mund të përmbyten, përfshi edhe zonat qëndrore ku është përqendruar zemra ekonomike e Tajlandës, paralajmëroi të mërkurën kryeministrja e vendit Yingluck Shinawatra.

Duke iu adresuar kombit në një intervistë televizive, ajo paralajmëroi që pjesë të ndryshme të kryeqytetit me më shumë se tetë milionë banorë mund të përmbyten nga ujra deri 1,5 metra të lartë.

Me qindra persona të sistemuar përkohësisht në pistën e aeroportit të dytë më të madh të Bangkokut kanë filluar të zhvendoset përsëri për në një tjetër vend të sigurt, pasi ujrat kanë arritur deri në pistë.

Më shumë se 360 persona kanë mbetur të vrarë dhe 100 mijë të tjerë të pastrehë, si rrjedhojë e përmbytjeve më të këqija në më shumë se 50 vjet.

Kriza konsiderohet si testimi i parë i madh për Kryeministren, e cila morri në dorë detyrën në gusht, pa patur ndonjë përvojë të madhe politike më parë.

Ndërkohë, progresi i ujit duket se është i ngadaltë, por i vazhdueshëm. Më parë gjatë javës, zyrtarët u detyruan të hapnin një digë që mbronte zona të ndryshme të kryeqytetit nga përmbytjet, pasi prurjet e mëdha rrezikonin të shpërthenin strukturën.

Top Channel