Bashkia jep lejen e shfrytezimit per 124 objekte

28/10/2011 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka dhënë lejen e
shfrytëzimit për 124 objekte, ku nuk përfshihen ato objekte që
rezultojnë me shkelje në projekt apo shtesa katesh, por thjesht janë
vonuar, sipas Bashes, për shkak të procedurave burokratike.

“124 objekte, të cilat përfaqësojnë afro tre mijë familje, 12 mije qytetare te Tiranes. Sot unë do të nënshkruaj përfundimin e këtij procesi nëpërmjet një letre që i drejtoj ministrit të Drejtësisë, të cilës i bashkangjis dosjet e plota bashkë me 124 leje shfrytëzimi dhe kërkoj pajisjen e këtyre 124 objekteve me lejen e regjistrimit, pra duke hapur rrugën kështu për tapitë. Shkelje e vetme ka qenë nga ana e autoriteteve të pushtetit lokal, të cilat kanë vonuar lejet e shfrytëzimit”, tha kreu i Bashkisë.

Sipas Bashes objektet qe kane probleme si shtesa katesh apo shkelje te tjera projekti i perkasin nje faze tjeter, e cila do te perfundoje brenda ketij viti. Sipas kreut të Bashkisë qytetaret, do te marrin tapite nderkohe qe ndertuesit do te ndeshkohen ne varesi te shkeljes.

Prona me shtesa

Në një numër të madh rastesh, pronat urbane në Shqipëri kanë shtesa pa leje. Shtëpitë njëkatëshe apo dykatëshe kanë kryer dhoma shtesë në oborr, qoftë para viteve ‘90, qoftë pas, dhe këto shtesa rezultojnë pa leje e të paregjistruara, pavarësisht se nuk ka konflikt pronësie.

Në zonat urbane ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm rastesh që një pronë nuk ka njohur freskim të titullit të pronësisë në regjistra tashmë prej dekadash, për shkak se pronarëve nuk u është nevojitur rifreskimi.

Në këtë rast, procedurat nëpër hipoteka janë rraskapitëse dhe kërkesat janë në kufijtë e absurdit. Për të plotësuar regjistrin, kërkohen nga pronari dokumente të llojit, kontratë shit-blerjeje e vitit 1924, apo kërkohen dokumente ligjore me standardet e ditëve tona, pavarësisht se shteti nuk ka punuar me të njëjtat standarde para 20 apo 50 vjetësh.

Top Channel