Siri, Al-Assad paralajmëron Perëndimin

30/10/2011 00:00

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, paralajmëroi fuqitë perëndimore për një “tërmet”, nëse do të ndërhyjnë në vendin e tij.

Në një intervistë të botuar mëngjesin e së dielës në një të përditshme britanike, Assad theksoi se çdo agresion ushtarak, do ta shndërronte Sirinë në një Afganistan të dytë, por me rrjedhoja shumë më të ndërlikuara për të gjithë botën.

Komentet e tij erdhën pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri një thirrje të re për fundin e represionit të vazhdueshëm ndaj civilëve në Siri.

Ndërkohë, të paktën 50 persona u vranë vetëm të shtunën, në ballafaqimet me policinë. Përleshjet kryesore ndodhën në qytetin e Homsit, ku 21 civilë dhe 20 policë mbetën viktimë të sulmeve me armë zjarri.

Që prej shpërthimit të revoltave në Siri gjatë marsit, më shumë se tre mijë persona kanë humbur jetën. Al-Assad, njeriu që drejton Sirinë prej 12 vitesh, pasi trashëgoi pushtetin nga babai i tij autoritar, është duke shtypur me ashpërsi çdo revoltë.

Pavarësisht paralajmërimeve, do të jetë shumë e vështirë për forcat perëndimore të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri, një vend që konsiderohet një alet i rëndësishëm i dy superfuqive si Rusia dhe Kina.

Përleshje në Homs, 20 të vdekur

Të paktën 20 ushtarë kanë mbetur të vrarë dhe dhjetra të tjera kanë mbetur të plagosur në qytetin e Homsit në Sirinë qendrore.

Sic njoftojnë organizatat siriane humanitare, viktimat u regjistruan pas një shkëmbimi zjarri mes ushtrisë dhe një grupi protestuesish anti-qeveritarë, që mendohet se janë ish-ushtarakë që kanë dezertuar dhe u janë bashkuar manifestimeve kundër presidentit, Bashar Al Asad.

Ndërkohë, në të gjitha qytetet e tjera të vendit janë mbajtur manifestime për t’i kërkuar Lidhjes Arabe të “ngrijë” Sirinë në këtë organizatë, në shenjë proteste kundër dhunës së përdorur nga forcat e sigurisë ndaj protestuesve.

Sipas OKB-së, mbi 3 mijë viktima janë regjistruar në Siri që nga nisja e protestave kundër presidentit Asad në pranverën e këtij viti. 

Top Channel