Grekët do t’i drejtohen kutive të votimit për të vendosur miratimin ose refuzimin e masave anti-krizë të qeverisë Papandreu, e vecanërisht për t’i thënë po ose jo marrëveshjes së arritur në samitin e Brukselit mes lidërve të BE-së dhe Athinës.

Lajmi i mbajtjes së referendumit u njoftua nga zëdhënësi i qeverisë greke në një konferencë për shtyp. Ky është përfundimi i arritur pas mbledhjes së jashtëzakonshme dhe maratonë të qeverisë greke.

Nuk ka ende ndonjë datë të saktë për mbajtjen e referendumit, por ai pritet të mbahet brenda pak javësh, nisur nga një deklaratë e kryeministrit Papandreu pak ditë më parë.

Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i lidërve të BE-së, e vecanërisht atyre të eurozonës të cilët kundërshtojnë mbajtjen e një referendumi të tillë, trembur nga një përgjigje negative e popullit grek ndaj masave anti-krizë dhe marrëveshjes së Brukselit për reduktimin e borxhit.

Vendimi i Athinës për mbajtjen e një referendumi, ka patur efekte të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare. Të gjitha bursat kryesore europiane u mbyllën me humbje të thellë, rënie e thellë u vërejt edhe në ?all Street.

Ekspertët mendojnë se tregjet reaguan negativisht pasi i tremben një rezultati negativ të referendumit grek, cka con vetë Greqinë drejt falimentit.
 

Top Channel