Kina: Jo sulm ndaj Iranit

04/11/2011 18:00

Kina hodhi poshtë përdorimin e forcës, të cfarë do forme qoftë ajo, kundër Iranit për programin e tij bërthamor.

Ministria e Jashtme kineze, iu përgjigj kështu zërave që po qarkullojnë në media për nja plan sulmi kundër centraleve bërthamore të Teheranit.

“Irani duhet të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara dhe si anëtar i Traktatit të Mospasurimit të Bërthamor, duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare që i takojnë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze transmetuar nëpërmjet agjencisë shtetërore të lajmeve, Xinhua.

Hipoteza e një sulmi ushtarak kundër Iranit për programin e tij bërthamor, shpërtheu fillimisht në mediat izraelite e më pas në ato britanike, që aludonin për një plan veprimi mes SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Izraelit.

Vendet perëndimore pretendojnë se Irani po pasuron uraniumin për krijimin e një bombe bërthamore, të cilën sipas raporteve, mund ta arrijë brenda vitit 2012. Por Republika Islamike hedh poshtë akuzat duke thënë se pasurimi i uraniumit është krejtësisht për qëllime paqësore.

Top Channel