Irani: SHBA të mendohen mirë për sulme

05/11/2011 20:50

Në mesin e shtimit të sinjaleve për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, Republika Islamike reagon me një paralajmërim për Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm iranian Ali Akbhar Salehi tha se Amerika e ka humbur maturinë dhe urtësinë në lidhje me cështjet ndërkombëtare.

“Ne sigurisht jemi të përgatitur për më të keqen, por shpresojmë që të mendohen dy herë përpara se ta vendosin veten në rrugën e përplasjes me Iranin”, deklaroi shefi i diplomacisë iraniane gjatë një vizite në Libi.

Tensionet diplomatike po reflektojnë gjithmonë e më shumë shqetësimet se Lindja e Mesme mund të jetë në prag të një konflikti të ri.

Raporte të ndryshme në media kanë lënë të kuptohet këto ditët e fundit se kryeministri izraelit Beniamin Netaniahu po përpiqet të grumbullojë sa më shumë mbështetje për një sulm mbi Iranin.

The Guardian” shkonte dhe më tej me informacionet se Britania është duke planifikuar t’i bashkohet forcave amerikane në një fushatë ajrore dhe detare kundër bazave ushtarake iraniane.

Të tilla pohime detyruan NATO-n të dilte të enjten me një deklaratë ku sqaronte se nuk do të marrë pjesë në asnjë veprim të tillë ushtarak.

Në një intervistë tjetër dhënë për një gazetë turke, Salehi pretendon se Teherani është gati për luftë me shtetin hebre.

“Kemi 8 vjet që dëgjojmë kërcënimet e Izraelit. Kombi ynë është i bashkuar dhe plot siguri tek vetja. Dimë si ta mbrojmë vendin tonë”, thotë ai.

Presionet mbi Iranin kanë ardhur në përshkallëzim që kur u hodhën akuzat për një komplot për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Uashington.

Top Channel