Kukës, debitorët rebelohen kundër CEZ

06/11/2011 08:45

Një aksion i CEZ-it për të ndërprerë dritat debitorëve në zonën e Kukësit ka sjellë në rebelimin e banorëve vendas, që janë rikthyer të protestojnë nëpërmjet shoqatës së familjeve të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës.

Aksioni i CEZ-it kryhet në kushtet kur niveli i arkëtimeve është jo më shumë se 5%, në zonën në fjalë. Si rrjedhojë, rreth 100 përfaqësues të familjeve të zonave të përmbytura u mblodhën dje në qendër të Kukësit duke kërkuar, së pari pezullimin e aksionit të CEZ-it dhe së dyti rinisjen e negociatave me qeverinë për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të pronave të përmbytura.

Drejtuesi i shoqatës, Sherif Kastrati, duke folur kundër masave të CEZ-it në gazetën “Shqip”, thotë se gjendja ekonomike e banorëve të përmbytjes është rënduar shumë kohët e fundit, për shkak të papunësisë dhe problemeve të pazgjidhura të pronës së tyre. “Shteti përfiton miliona lekë në ditë nga shfrytëzimi i ujit të Drinit në hidrocentralin që u ngrit mbi trojet tona dhe pronat tona në tërësi, ndërsa na kërkohet të paguajmë energjinë elektrike. Për këtë ka ardhur CEZ-i, të cilit i themi të ndalë gërshërët”, tha ai, duke specifikuar që Task-Forca e CEZ-it nuk duhet të presë dritat për zonat e përmbytura, përderisa problemi i pronave nuk është zgjidhur.

Kastrati shtoi se “përderisa pasuria e banorëve po shfrytëzohet, ata nuk kanë pse të paguajnë energjinë elektrike, kur janë të papunë e të varfër, së pari t’u paguhen trojet më pas t’u kërkohet fatura e dritave”.

Ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës në vitin 1987 shkaktoi shpërnguljen e banorëve të qytetit të Kukësit të vjetër dhe 36 fshatrave të rretheve Kukës, Has (në atë kohë pjesë e Kukësit), Tropojë dhe Pukë. U shpërngulën gjithsej 5500 familje ose rreth 35 mijë banorë, duke u vendosur në fshatra artificialë, të cilët u shkatërruan pas vitit 1990, duke lënë në mëshirë të fatit shumë prej të shpërngulurve, që u gjendën në “pronën e tjetrit” që duhej lëshuar.

Top Channel