Itali, borxhet arrijnë një nivel rekord

07/11/2011 15:05

Niveli i borxhit të qeverisë italiane ka arritur një rekord të ri gjatë ditës së hënë, ndërsa frika për mundësinë e një kolapsi të stilit grek është gjithmonë e në rritje.

Letrat me vlerë dhjetëvjeçare të qeverisë italiane u shitën me një normë interesi tepër të lartë prej 6,64%, në vend të 6,37% që ishin shitur më parë. Kjo do të thotë se Roma duhet të paguajë me qindra milionë më shumë për të shlyer huatë e saj.

Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, është zhytur në një spirale borxhesh dhe bashkuar me stanjacionin që po kalon vendi, mundësia e një kolapsi është gjithmonë e më reale.

Pasiguria italiane është reflektuar edhe në bursat e Londrës, Parisit dhe Madridit, të cilat shënuan të gjitha humbje të rëndësishme. Paradoksalisht, rritje ka shënuar vetëm bursa e Milanos, ndikuar nga zërat se Berlusconi mund të dorëhiqet në orët e ardhshme, pretendime që janë përgënjeshtruar nga vetë Kryeministri në “Facebook”.

Shqetësimi për Italinë po largon vëmendjen nga zhvillimet e fundit në Greqi, ku kryeministri Papandreu ka pranuar që të japë dorëheqjen. Në orët e vona të së hënës pritet edhe shpallja e qeverisë së re greke, një kabinet teknik, i cili do të miratojë paketën e rradhës së FMN-së dhe do të ushtrojë reformat e kërkuara për marrjen e këstit të radhës së kredisë.

Rehn: Ok masave të Italisë

Komisioneri për Cështjet e Ekonomisë në Bashkimin Europian, Olli Rehn, deklaroi se masat e paraqitura nga Italia për reduktimin e borxhit publik, janë mëse të mjaftueshme për nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Gjatë samitit të G20-s, u fol gjatë për Italinë, nisur nga niveli i lartë i borxhit që mbart. Kryeministri Berluskoni na njohu me një sërë masash që do të marrë, masa të cilat nxjerrin vendin nga kriza vetëm nëse do të aplikohen”, tha Rehn.

Më tej, Euro-komisioneri për cështjet ekonomike, deklaroi se ishte vetë Berluskoni që ftoi vëzhgues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të mbikqyrnin plan-reformat. Deklarata e Rehn mbështet qendrimin e shprehur nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi, fill pas përfundimit të samitit të G20-s në lidhje me projekt-masat e qeverisë italiane.

Top Channel