Bode paraqet projektbuxhetin

08/11/2011 00:00

Ministri i Financave, Ridvan Bode paraqiti në Konferencën e Kryetarëve
buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, i cili sipas tij ruan
qëndrueshmërinë financiare të vendit.

“Deficiti i përgjithshëm fiskal mbetet në nivelin 3 përqind, i cili nuk con dhe nuk prish objektivin e dytë, atë të mbajtjes së borxhit publik brenda limitit, tavanit prej 60 përqind. Shpenzimet kapitale te buxhetit do të vazhdojnë të mbeten dukshëm më të larta nga deficiti fiskal, pra nëse decifitin fiskal e programojmë me 3 përqind, shpenzimet publike, investimet publike do të jenë në nivelin 5 përqind”, tha Bode.

Qeveria ka parashikuar të shpenzojë vitin e ardhshëm 396 miliardë lekë dhe pret të mbledhë nga taksat, rreth 356 miliardë. Krahasuar me planin e rishikuar të këtij viti rritja është 3.6, ndër më të ulëtat historike.

“Parashikimet fiskale të vitit 2012, bazohen në zhvillimet ekonomike dhe fiskale në periudhën e deritanishme me një shikim kritik në realizimin e plotë të objektivave të vitit 2011, pasi deri tashmë vërehet një dobësi në aktivitetin e brendshëm të ekonomisë shqiptare”, theksoi Bode.

Por rreziku më i madh për ministrin e Financave vjen nga ekonomitë e perëndimit dhe masat që ato po detyrohen të marrin, duke ulur shpenzimet për të ruajtur borxhin.

“Duhet thënë se zhvillimet më të fundit dhe masat më të fundit po merren nga Komisioni Europian, për hapësirën e zonës Euro sigurisht që i takojnë një masë jo të vogël edhe ekonomitë e vendeve periferike janë në radhë të parë ekonomitë e Europës Qendrore dhe Lindore, ritmet e te cilave kanë nisur jo vetëm të bien, por në mënyrë të dukshme të kopjojnë zhvillimet e hapësirës euro”, tha Bode.

Qeveria ka parashikuar vitin e ardshëm një rritje ekonomike 4.3 për qind, që sipas zotit Bode është realiste.  

Top Channel