Berlusconi: Jap dorëheqjen

08/11/2011 22:50

Kryeministri Silvio Berlusconi do të japë dorëheqjen pas aprovimit të ligjit për stabilitetin, ose me fjalë të tjera pasi të ketë realizuar kërkesat që i bëri Bashkimi Europian në samitin e G20 lidhur me reformat ekonomike për përballimin e krizës.

Kështu u mbyll kjo ditë e ngjeshur nga pikëpamja politike, një ditë që e privoi kryeministrin nga shumica në Dhomën e Deputetëve ku u votua buxheti.

Kundrejt një shumice minimale prej 316 deputetesh, Silvio Berlusconi fitoi aprovimin e vetëm 308 prej tyre. Në sallë qenë të pranishëm por nuk votuan 321 deputetë, shumica opozitare dhe 11 të shumicës së djathte, ata që iu kundërvunë kryeministrit dhe që në një farë mënyre shkaktuan krizën e tij.

Që dje qarkulluan zëra për një dorëheqje të mundshme të Berlusconit, por më pas ai vendosi të paraqitet në Dhomën e Deputetëve për aprovimin e buxhetit, sepse siç u shpreh “dua të shoh në fytyrë tradhëtarët”.

Pas votimit, ai verifikoi personalisht listën e votuesve dhe pranoi se shumica e kryesuar prej tij ka probleme të mëdha.

Vetë aleatët i patën kërkuar dorëheqjen kohët e fundit, por dukej se Berlusconi kishte ende shumë besim tek vetvetja.

Se cilat do të jenë manovrat e kryeministrit këto ditë ende nuk dihet, një gjë është e sigurt, ditën e mërkurë në Romë mbërrijnë inspektorët e Bashkimit Europian dhe specialistët e Bankës Qëndrore Europiane për të verifikuar fazën e zbatimit të reformave antikrizë.

Top Channel