Kriza, BE tkurr zgjerimin

09/11/2011 00:00

Përpara se të vinte në Shqipëri, drejtori i përgjithshëm i zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino prononcohej për “Deutsche Welle” mbi anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.

Sipas tij, kriza e fundit e Eurozonës nuk ka ndonjë lidhje direkte me vështirësitë e zgjerimit. Megjithatë, zotit Sannino pranon se procesi i anëtarësimit të vendeve të reja po bëhet gjithnjë e më i komplikuar, pjesërisht edhe për shkaqe politike.

Në disa vende të Bashkimit, thotë ai për radion gjermane, ekziston përshtypja se vështirësitë janë shtuar pas zgjerimeve të kaluara.

Shembull për këtë, Kroacia. Deri në fund të vitit Kroacia duhet të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit, por rruga që iu desh të kalonte deri këtu ishte më e vështirë se sa e vendeve të tjera të Lindjes apo Ballkanit që u antarësuan përpara saj.

Ndërsa rruga e vendeve të tjera, thotë “Deutsche Welle”, do të jetë edhe më e komplikuar dhe e vështirë.

A ia ka thënë këto drejtori Sannino udhëheqësve shqiptarë, me të cilët u takua për herë të dytë në më pak se një muaj?

Zoti Sannino nuk kishte parashikuar konferencë për shtyp gjatë vizitës së tij në Tiranë. Por zyrat e shtypit të Presidentit të Republikës, Kryetares së Kuvendit apo Partisë socialiste konfirmojnë se është folur për situatën më të fundit politike në vend.

Ndërkohë që takimi me kryeministrin Berisha apo ministrin e jashtëm Haxhinasto ka qenë i pamundur për shkak se që të dy ndodhen me vizita zyrtare jashtë Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidenti Topi ka vënë në dukje në takim se klasa politike shqiptare, edhe pse është ende e përfshirë ende në vorbullën e debatit dhe të retorikës politike për çështje të ditës, i ka lexuar tashmë qartë mesazhet e Brukselit lidhur me reformat e domosdoshme në rrugën drejt Europës.

Top Channel