Instituti që do hetojë krimet e komunizmit

09/11/2011 19:50

Njëzet vjet pas rënies së komunizmit, në Shqipëri ka nisur një përpjekje e parë serioze për të hedhur dritë edhe zyrtarisht në errësirën 45-vjecare të historisë së këtij regjimi.

Këtë e ka marrë përsipër Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizimit, një organizëm i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të qeverisë, pas rrëzimit të ligjit të lustracionit.

Ky institut, që ka për detyrë të hapë arkivat, të mbledhë dëshmi për krimet e komunizimit dhe t’i botojë ato, mund të konsiderohet si syri i shoqërisë shqiptare në të kaluarën e vet të errët, ende të pazbuluar dhe të shkruar në të gjitha përmasat e saj.

“Një autopsi e krimeve të komunizmit nuk është kryer në mënyrë të plotë e sistematike. Instituti jonë konsideron si mision zhvarrosjen e historisë dhe me studimet do të hedhë dritë mbi faktet e fshehura nga diktatura dhe të manipuluara nga trashëgimtarët e saj”, ka deklaruar drejtuesi i institutit, Agron Tufa.

Në ditën e parë të funksionimit të insitutit, faktet e para, edhe pse të njohura janë përmblehur në një hartë, ku faktet janë tronditëse.

“Komunizmi deshte t’i fshinte kufomat dhe varroseshin në brigjet e lumenjve. Nga 6 mijë viktima të komunizmit, vetëm 1 mijë u janë gjetur varret. Shqipëria ka pasur në atë kohë 100 burgje”, ka treguar Agron Musta.

Për punën e institutit, përvec hapjes së arkivave, dëshmitë janë shumë të rëndësishme dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë apelin e saj për bashkepunim.

Edhe pse sipas saj, shumë prej ish-të dënuarve politikë nuk jetojnë më për të zbardhur këtë pjesë të historisë së shqiptarëve, ende fare pak e njohur, por sic thotë zonja Topalli edhe pjesa më e zezë e saj.

“Më e zeza sepse është ajo pjesë ku shqiptari ia bëri shqiptarit. Nëse dikush ka për të dëshmuar dicka, duhet ta bëjë këtë sot, për këtë institut”, ka thënë Topalli.

Të frymëzuar nga thënia se, ai komb që nuk ndreq gabimet e së shkuarës nuk mund të ketë të ardhme, në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit besojnë se puna e tyre, më shumë se gjithcka do t’i shërbejë ndërgjegjes morale të shoqërisë shqiptare.

Top Channel