Kinë-BE: Irani, përgjegjës për krizën

09/11/2011 21:30

Superfuqitë botërore shprehën shqetësim të thellë ditën e mërkurë, 24 orë pasi Agjensia Bërthamore e OKB-së (IAEA) zbuloi se zotëron prova që vërtetojnë se programi bërthamor iranian është adresuar për qëllime ushtarake.

Megjithatë, qëndrimi që mbajnë disa prej vendeve më të fuqishme në botë është i ndryshëm dhe kjo mund të pengojë tentativat për të gjetur një zgjidhje diplomatike midis komunitetit ndërkombëtar dhe Teheranit.

”Agjensia ka shqetësime serioze përsa i përket dimensioneve ushtarake të programit bërthamor iranian”, shkruhej në raportin e publikuar nga agjensia. “Pasi ka hetuar për një kohë të gjatë dhe të detajuar të gjithë të dhënat e njohura, mund të arrijmë në përfundimin se shqetësimi që shprehim është i qëndrueshëm dhe me baza të thella. Përsërisim se informacion i besueshëm mbi devijimin nga qëllimet civile për arsye ushtarake është në dorën e Agjensisë”.

Duke reaguar mbi këtë zhvillim, Ministri i Jashtëm i Britanisë, Ëilliam Hague, deklaroi se: “Britania i ka shtrirë disa herë dorën e pajtimit Iranit dhe ky është momenti që ata ta pranojnë atë. Ne jemi të gatshëm të ulemi në bisedime të mëtejshme rreth programit bërthamor, por këtë Irani duhet ta bëjë duke shprehur një angazhim serioz dhe jo të përfshihet në bisedime vetëm për të blerë kohë. Në rast të mungesës së bashkëpunimit, së bashku me partnerët tanë po marim parasysh mundësinë e një bllokade më të fortë ekonomike e politike”.

Sipas Hagues, situata e tanishme në Iran rrezikon përfundimet e mira që solli “Pranvera Arabe”. Në një deklaratë të Parisit zyrtar, ndahet një qëndrim i njëjtë me palën britanike rreth kësaj çështje.

”Raporti tronditës i IAEA-s forcon shqetësimin e thellë të Francës rreth programit bërthamor iranian. Nëse Irani refuzon që të pranojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar dhe çfarë do bashkëpunim serioz, së bashku me partnerët tanë do të jemi të gatshëm të detyrojmë këtë vend që të përballojë sanksione të paprecedente”.

Zëdhënësi i Ministrit të Jashtëm Kinez, Hong Lei, theksoi nga ana e tij se Irani mban përsipër përgjegjësinë për çdo vendim që komuniteti ndërkombëtar mund të marrë. “Kina është shndërruar prej kohësh në avokat të dialogut dhe bashkëpunimit rreth çështje iraniane, por nuk mund të ketë dialog nëse vetë Teherani refuzon të ulet në tryezën e bisedimeve”.

Raporti i IAEA-s i jep një goditje të fortë shërbimeve të fsheta amerikane, që pretendonin se programi bërthamor i Iranit ishte ndërprerë në vitin 2003.

Nga ana e tij, presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, përsëriti retorikën e tij të përhershme mbi të drejtën kombëtare të vendit të tij për të zhvilluar energjinë bërthamore për arsye civile.

”Janë vendet e armatosura deri në dhëmbë, me të gjitha llojet e armëve, përfshi ato bërthamore, të cilat paturpësisht dhe padrejtësisht na akuzojnë”, u shpreh Ahmadinejad.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për momentin nuk kanë komentuar.

Rusia: Bllokojmë sanksionet mbi Iranin

Nga ana e saj, Rusia ka hedhur poshtë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Iranit.Zëvendësministri i Jashtëm, Gennady Gatilov, deklaroi të mërkurën në Agjensinë e Lajmeve “Interfax” se shtimi i sanksioneve do të mund të interpretohej si një ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit.

Irani është rikthyer papritmas në qendër të vëmendjes, një javë pasi Presidenti i Izraelit, Simon Peres, theksoi se një ndërhyrje ushtarake është e mundur, për të frenuar ambiciet bërthamore të shtetit të madh arab.

”Masat e reja shtrënguese ndaj Iranit do të shiheshin nga komuniteti ndërkombëtar si mënyra për të forcuar një ndryshim regjimi në Iran. Rusia nuk ka përkrahur asnjëherë ndërhyrjen në çështjet e brendshme të një shteti dhe do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim edhe në këtë rast”, deklaroi Gatilov. “Ideja e sanksioneve është e papranueshme për ne dhe nuk do t’i marrin në konsideratë këto propozime”.

Rusia ka në dorë të bllokojë sanskionet, duke votuar kundër në Këshillimin e Sigurimit të OKB-së, ku Moska ka një prej pesë votave që vendosin veto. Në tetor, Rusia dhe Kina bllokuan së bashku një rezolutë me masa shtrënguese për Sirinë.

Top Channel