Policia e Kosovës po heton për incidentin e rëndë të regjistruar një
natë më parë mes serbëve dhe shqiptarëve në Mitrovicë, me pasojë vdekjen
e një serbi dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Raportohet se gjendja e dy të plagosurve është serioze. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se personi Sava Mojsic, vdiq nga plagët sot herët në mëngjes, në spital, pas operacionit, i cili zgjati disa orë.Mjekët thanë se Mojsic ishte plagosur nga shpërthimi i të shtënave me armë zjarri.

Polica tha se po i heton detajet se përse ndodhi kjo përleshje dhe se kush kishte shtënë me armë zjarri.

Pas kësaj ngjarjeje kanë reaguar institucionet e Kosovës, si Presidenca dhe qeveria, që e kanë dënuar ashpër incidentin e së mërkurës mbrëma.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vlerësuar se aktet e dhunës janë të patolerueshme dhe të papranueshme, që nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe fton qytetarët që të tregojnë maturi dhe qetësi.

Qeveria e Kosovës ka ftuar “organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që kryerësit e këtij akti të rëndë të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

Po ashtu, Qeveria fton qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çdo akt i dhunës, sepse kjo është e papranueshme.

Ngjarja ndodhi pasi mëngjesin e së mërkurës, trupat e KFOR-it ndërhynë duke marrë nën kontroll një barrikadë dhe duke kaluar për në pikën kufitare të Jarinjës.  

Top Channel