F1, Rosberg sërish me Mercedes

10/11/2011 16:00

Nico Rosberg ka firmosur një kontratë “shumëvjeçare” me skuderinë Mercedes GP Petronas, që përfshin “sezonin 2013 dhe më tutje”. Lajmin e bëri të ditur ekipi i tij me anë të një komunikate.

Në këtë mënyrë, sezoni i ardhshëm do ta gjejë Mercedes GP me të njëjtin çift pilotësh të dy viteve të fundit: Michael Schumacher dhe Nico Rosberg.

“Jam shumë i lumtur me kontratën e re. Objektivi im është të arrij fitoren me këtë makinë dhe jam i lumtur që do të kem sërish shansin për të pilotuar një Mercedes”, u shpreh Rosberg, i shtati në klasifikimin e përgjithshëm të botërorit të Formulës 1 në këtë sezon.

Nga ana tjetër, drejtori sportiv Ross Brawn është i bindur se Rosberg është në gjendje të “fitojë gara dhe tituj botërorë”.

“Nico Rosberg ka arritur rezulate të shkëlqyera në këto dy vitet e fundit edhe pse ne nuk i kemi dhënë një makinë kompetitive”, theksoi Brawn.

Gjermani Nico Rosberg piloton që nga viti 2010 me Mercedes GP duke arritur të ngjitet në podium në tre raste dhe ka grumbulluar gjithsej 217 pikë.

Top Channel