Albanian Airlines nuk fluturon

11/11/2011 00:07

3,000 pasagjerë të kompanisë ajrore Albanian Airlines, që  kanë rezervuar biletat deri në fund të nëntorit me këtë kompani, rrezikojnë të mos  udhëtojnë  për në pesë destinacione pas një vendimi për bllokimin e tre avionëve.

Shkak është  bërë një vendim pa paralajmërim lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Repubikës së Shqipërisë. Ky autoritet ka marrë një vedim për revokimin e  certifikatës së  operimit ajror që nënkupton bllokimin e funksionimit të kompanisë duke sjellë si pasojë anullimin e fluturimeve.

Ndaj këtij veprimi mbrëmjen e së Enjtes ka reaguar kompania Albanian Airlines e cila thotë se  “Heqja e kësaj certificate bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Nacionale të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditorëve Ndërkombëtarë të Nënkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj, afat maksimal i mundshëm. Kjo tregon që Albanian Airlines ka qenë gjithmonë konform rregullave të Bashkimit Europian dhe në kooperim të mirë me Auditet dhe Autoritetet Shqipëtare dhe të Huaja.”

Kompania thotë se “kjo është një shprehje e qartë e interesave klienteliste dhe konkurrencës së padrejtë që sjell pasoja të pariparueshme të karakterit ekonomik dhe social.”

Ndërkohë vendimi për bllokimin e katër avionëve, u paralajmërua gjatë ditës në seancën plenare nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

“Fakti që nuk kemi pasur asnjë incidenet tregon edhe punën e mirë që është bërë nga autoriteti. Jo më larg se sot në mëngjes autoriteti i aviacionit civil i ka hequr të drejtën e operimit 3 avionëve të kompanisë Albanian Airlines dhe 1 avioni të kompanisë Belle Air, pikërisht për të mbajtur nën kontroll të gjithë ato kritere që janë të detyrueshme për t’u aplikuar”, tha ministri Sokol Olldashi.

Top Channel