Me njërën dorë mbi Ungjillin sipas traditës dhe në prezencën e presidentit grek sipas kushtetutës, në fillim kryeministri i ri  Lukas Papadhimos dhe më pas anëtarët e qeverisë së tij, kanë bërë betimin për t’i shërbyer vendit në bazë të ligjeve me ndershmëri.

Kabineti i ri në Greqi përbëhet nga 48 funksionare, shtatë më tepër se qeveria e mëparshme Papandreu.

Është një skemë e ndërtuar mbi balancat politike të tre partive që e përbëjnë, socialistët, konservatorët dhe ultranacionalistët, që për herë të parë përfaqësohen në qeveri me 4 anëtarë.

Shumicën e posteve, gjithesej 39, kanë mbajtur socialisëet ,midis tyre portofolet e dy zv/kryeministrave dhe Ministrinë e Financave, nën drejtimin e Evangjelos Venizellos.

Megjithëse të pakët në numër, vetëm 6, konservatorët janë përfaqësuar në nivel të lartë në qeverinë e re.

Dy zv/kryetarët e Partisë Demokracia e Re, Stavros Dhimas, ish-komisioner i BE për Ambientin, si dhe Dhimitris Avramopoulos kanë marrë dy postet kyce në qeveri, Ministrinë e Jashtme dhe atë të mbrojtjes.

Pas ceremonisë së betimit Papadhimos ka takuar dhe është përshëndetur me ish-kryeministrin Papandreu. Qeveria e re do të marrë votëbesimin e Parlamentit në ditët në vijim.

Papadhimos ka 100 ditë në dispozicion që të zbatojë kushtet për paketën e shpëtimit me një vlerë prej 130 miliard euro që u nënshkruan në Bruksel në 26 tetor.

Ish zv/presdienti i BQE ka deklaruar se do luftojë që të mbajë Greqinë në Eurozonë. Mediat vendase dhe të huaja  e quajnë zgjedhjen e një teknokrati si kryeministër, nje epokë të re, por me të drejtë shtrojnë pyetjen nëse do të mundet ai, brenda një periudhe kaq të shkurtër t’ja dalë mbanë punës më të vështirë në Europë në këtë moment, të shpëtoje Greqinë nga falimentimi.

Sfidat e tij janë të panumërta, konsensusi partiak është tepër i vështirë, qytetarët nuk durojnë më masa të reja financiare.  

Papadhimos do të gjejë përballë një sektor publik të indinjuar nga reduktimet e vazhdueshme të të ardhurave dhe pushimet nga puna, sindikatat greke gati për protesta të reja si dhe armatën e madhe të të papunëve, që sipas të dhënave të fundit ka arritur në rreth  910.000 vetë.

Top Channel