Jemen, vijojnë protestat anti-qeveritare

12/11/2011 10:10

Ndonëse janë venitur disi, protestat në Jemen nuk kanë të ndaluar. 10 persona raportohen të vrarë nga përleshjet mes protestuesve anti-qeveritarë dhe forcave të sigurisë.

Përleshjet ndodhën në gjashtë zona të provincës së Taizit, njoftojnë organizata joqeveritare vendase.

“Se kuptojmë pse forcat e sigurisë sulmojnë persona të pafajshëm. Po na sulmojnë shtëpitë e po na vrasin familjet tona”, citohet një banor i provincës së Taizit nga CNN.

Protestat kundër presidentit Saleh kanë nisur prej muajsh. Ato kulmuan me dhunën e përshkallëzuar në kryeqytetin Sanaa në fillim të kësaj vere.

Vetë Saleh mbeti i plagosur me djegie të rënda pasi një granatë u hodh në zyrën e tij nga protestuesit. Si pasojë e plagëve të marra ai u detyrua të udhëtonte për në Arabinë Saudite për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Pikërisht në këtë moment nisën shpresat e protestuesve për ndryshim, shpresa këto që do të rrëzoheshin pas rikthimit në Jemen të Saleh, i cili megjithëse disa herë ka premtuar reformat e kërkuara nga manifestuesit, vazhdon të shtypë me dhunë protestat.

Top Channel