Norvegji, nis gjyqi ndaj vrasësit Breivik

14/11/2011 15:05

Nisi ditën e hënë, në Oslo, gjyqi ndaj njeriut që vrau 77 persona në një ishull turistik në Norvegji, gjatë muajit korrik.

Anders Behring Breivik ka pranuar më parë akuzat për 77 vrasje me paramendim dhe qindra plagosje. Familjarë të viktimave e prisnin në sallën e gjyqit dhe jashtë tij, ku u organizua një protestë kundër tij. Midis parrullave të hedhura, ishte edhe ajo që kërkonte një përjashtim nga ligji, për të lejuar ekzekutimin e masakruesit.

Një njeri me bindje ekstremiste të djathta, 32-vjeçari qëndron i arrestuar që prej 22 korrikut, kur qëlloi me breshëri dhe pa ndalim për më shumë se një orë me një armë automatike, mbi të rinjtë e mbledhur në një kamp pushimi.

Deri më sot, seancat e pyetjeve ishin kryer në mënyrë private për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Mediat ndërkombëtare e cilësuan atmosferën në sallën e gjyqit si të “tensionuar” dhe të “çuditshme”.

Mbi 30 të mbijetuar të sulmeve u sollën në gjyq për të dëshmuar dhe Breivik i sfidoi hapur duke i vështruar drejt e në sy.

Ndonëse gjykata duhet ende të shprehet, Breivik përballet me një dënim të sigurt me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht, siç është maksimumi i lejuar nga ligji norvegjez.

Në ditët pas masakrës, ai pranoi autorësinë e vrasjeve, por mohoi të kishte përgjegjësi penale, duke e konsideruar masakrën si “të domosdoshme” për të shpëtuar Norvegjinë dhe Europën nga muslimanizmi dhe multikulturalizmi.

Top Channel