Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me kufijtë e Kosovës duhet të ratifikohen në Kuvend.

Sipas tij, këto cështje janë të përcaktuara në Kushtetutë dhe cdo institucion duhet të respektojë dokumentin themeltar.

Këto komente Krasniqi i bëri pas njoftimeve se mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve, sipas propozimit të BE-së.

Por, për kryetarin e Parlamentit, një gjë e tillë tejkalon kornizën e bisedimeve teknike, e cila mbështetet në rezolutën e Kuvendit.

“Jo vetëm që tejkalon rezolutën por tejkalon edhe Kushtetutën. Ne jemi për respektimin e Kushtetutës”, ka deklaruar Krasniqi.

Tahiri: Menaxhimi i kufijve, ide e BE-së

Ndërsa shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri është shprehur se kjo temë është diskutuar edhe me të dërguarin e BE, Robert Cooper, i cili vizitoi javën e kaluar Prishtinën.

Sipas Tahirit, ideja e menaxhimit të integruar të kufijve është një ide e Bashkimit Evropian dhe jo e Serbisë dhe nuk nënkupton qeverisjen e kufijve.

“Ky është një koncept i qartë, i përcaktuar ligjërisht sipas ligjeve të BE-së dhe që nënkupton një bashkëpunim mes dy shteteve të pavarura në fushën e doganave dhe kufijve, në bazë të juridiksioneve përkatëse”, ka saktësuar Tahiri.

Kryenegociatorja kosovare ka shtuar se Kosova nuk ka pranuar që në dialogun teknik të diskutohet për menaxhimin e pikave 1 dhe 31, pasi ato prekin sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Propozimi në fjalë u pranua nga Prishtina zyrtare javën e kaluar, plot një muaj pasi qeveria kosovare e kishte refuzuar atë.

Top Channel