Siri, opozita kërkon “Kaskat Blu”

15/11/2011 15:30

Opozita në Siri ka kërkuar dërgimin e forcave shumëkombëshe të OKB-së, njohur ndryshe edhe si “Kaskat Blu”.

“Nuk do të zhvillojmë asnjë dialog me presidentin Bashar al Asad, apo me anëtarë të tjerë të familjes në pushtet. Ajo që ne kërkojmë është një rezolutë e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur civilët në Siri pa qenë nëvoja e një ndërhyrje ushtarake. Një zgjidhje e tillë do të ishte dërgimi i “Kaskave Blu” me mision mbrojtjen e civilëve”, deklaron nga Moska Bhuran Ghalioun, kreu i Këshillit Kombëtar Sirian, që grupon organizatat më të mëdha opozitare anti-Asad.

Bhuran Ghalioun ndodhet për një vizitë në Rusi, vizitë e cila synon të ndryshojë qendrimin e Moskës përsa i përket Sirisë.

Turqia: Sirisë mund t’i ndërpresim energjinë elektrike

Turqia po shikon seriozisht mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të Sirisë, si kundërpërgjigje për dhunën që autoritetet po ushtrojnë ndaj manifestuesve anti-Asad.

Lajmi është njoftuar nga Ministri i Energjitikës i Turqisë, Taner Yildiz. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, ishte përjashtuar nga paketa e sanksioneve që Ankaraja zyrtare miratoi kundër Sirisë në muajin shtator, pas thirrjeve të vazhdueshme diplomatike për t’i dhënë fund dhunës ndaj protestuesve.

Ndërkohë, në Siri vijojnë të regjistrohen viktima si mes protestuesve anti-qeveritarë, ashtu edhe në radhët e forcave të sigurisë.

Top Channel