Vendi drejt krizës energjitike

21/11/2011 00:00

Shqipëria po shkon drejt një krize të rëndë energjitike, për shkak të
thatësirës së zgjatur që ka shteruar rezervat ujore ne basenet e
hidrocentraleve.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka rënë në 260 metër dhe vazhdon të bjerë për shkak të prurjeve të papërfillshme, në nivelet më të ulëta historike. Në nëntor prurjet ishin vetëm 34 metër kub në sekondë nga 204 metër që ka qenë mesatarja 50-vjecare e këtij muaji. Të gjitha hidrocentralet e kaskadës prodhojnë aktualisht vetëm 6 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që konsumi është në nivele maksimale gati 4 herë më shumë.

Në këtë situatë, Korporata Elektroenergjetike është detyruar të importojë sasi të mëdha energjie. Aktualisht importi i energjisë ka arritur rekordin historik, gati 17 milionë kilovat orë në ditë, duke bërë qe Korporata, e drobitur financiarisht, të shpenzojë 30 milionë euro ne muaj, për të blerë energji. Kjo situatë vazhdon qe nga fillimi i vitit. Në total, gjatë gjithë vitit, KESH ka prodhuar 3.7 miliardë kilovat orë në vend, ndërsa është detyruar të importojë 2.6 miliardë të tjera. Për shkak të kësaj situate, KESH është në vështirësi urgjente financiare.

Korporata detyrohet të marrë kredi në banka, për të blerë energjinë, por tani ka mbërritur në një pikë, ku nuk mund të sigurojë dot më financime pa ndërhyjen e shtetit. Por për shkak të krizës që ka goditur ekonominë, vetë qeveria është në pamundësi financiare për të siguruar fonde për korporatën, pasi nuk ka para. Me borxhin që luhatet rreth kufirit maksimal dhe kur financat e shtetit janë në gjendjen më të keqe të dhjetëvjecarit të fundit, kriza e energjisë mund të ketë pasoja jo të vogla për ekonominë ne teresi.

Privatizmi qe nuk zgjidhi krizën

 
Në vitin 2009 kur privatizoi shpërndarjen sot të njohur si CEZ, qeveria ndërtoi një model, i cili nuk e zgjidhte ngërcin shumëvjecar të energjisë. Nga njëra anë qeveria ia ngarkoi KESH-it detyrimin ligjor për të siguruar energji për vendin, por nga ana tjetër nuk zgjidhi cështjen e financimit, pasi skema nuk i garanton të ardhura korporatës.

Sot KESH i shet energji CEZ-it me vetëm 1.4 lekë për kilovat orë, ndërkohë që për të përballuar konsumin i duhet të blejë në import me një cmim 7 deri në tetë herë më të lartë. Ndërkaq rishikimet e cmimit vit pas viti, jo vetëm që nuk e kanë favorizuar KESH-in, por e kanë diskriminuar atë financiarisht. Vitin e kaluar Enti Rregullator, e uli me 30 për qind cmimin e energjisë që KESH-i i shet CEZ-it për të kompensuar rritjen e tarifave që kërkonte kompania ceke.

Dy vitet e para, kriza u fsheh përkohësisht për shkak të reshjeve të shumta, të cilat rritën prodhimin vendas duke ulur koston e korporatës. Por tani që thatësira është rikthyer, KESH është vënë sërish në pamundësi financiare për të siguruar energji për vendin. Për sa kohë qeveria nuk do i japë një zgjidhje përfundimtare financave të KESH, tregu i energjisë në vend do të jetë në kaos dhe burim krizash. Kjo edhe për një arsye tjetër. Konsumi i energjisë vazhdon të rritet me ritme të larta, aq sa tani ekspertët thonë se me këtë skemë tregu KESH nuk e përballon dot më detyrimin ligjor për të siguruar energji për vendin.  

Top Channel