Moska kërcënon me raketa në Biellorusi

21/11/2011 21:25

Moska ka kërcënuar se do të vendosë raketa taktike në Biellorusi dhe në kufijtë e saj nëse dështojnë bisedimet me Uashingtonin për mburojën anti-raketë.

Lajmin e ka bërë të ditur një burim diplomatik që citohet nga agjencia ruse “Interfax”, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin.

Sipas burimit, Moska mund të vendosë raketa të tipit “Iskander” në Biellorusi dhe në rajonin rus të Krasnodarit, pasi kishte kërcënuar se do të vendoste raketa hedhëse në enklavat e Kaliningradit.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe ish-republikës sovietike janë më të forta se kurrë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për Bashkimin Euroaziatik.

Gjithashtu, tani që është konfirmuar rikthimi i Putin në krye të Kremlinit, Perëndimi druhet se do të rinisë lufta e ftohtë, edhe pse ajo nuk mbaron kurrë.

Shpesh herë Rusia me qëndrimet dhe pozitën e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka penguar nismat perëndimore.

Së fundmi, ajo hodhi poshtë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Iranit, pavarësisht një raportimi të OKB-së që konfirmoi zhvillimin e programeve bërthamore për qëllime ushtarake.

Ndërsa rreth katër vjet më parë Rusia bllokoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës në OKB, duke vendosur veton në Këshillin e Sigurimit dhe duke dalë kështu kundër të gjitha fuqive të tjera.

Top Channel