Hipoteka: Prona që pretendon familja Konomi ka ende probleme

24/11/2011 00:00

Regjistrimi i pronave me probleme dhe për të cilat ka vendime për
kufizim pasurie, kërkon veprime të kujdesshme dhe respektim të afateve
ligjore.

Një grup pune prej tetë specialistësh, i ngritur pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, po merret me çështjen e regjistrimit të pasurisë së familjarëve të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Durrës, bazuar në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë.

Kryeregjistruesi i Durrësit, Bedri Luku, lidhur me pretendimin e familjarëve të gjyqtarit të ekzekutuar mëngjesin e datës 9 shtator, për mosregjistrimin e pronës në bazë të vendimit të marrë nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në qershor të këtij viti, sipas “Shqip”, sqaron se kjo është një pronë me probleme që kërkon trajtim të kujdesshëm, pa cenuar afatet ligjore për regjistrimin e një prone të tillë.

Problemet

Vendimi i Gjykatës së Lartë, që u jep të drejtën e pronësisë trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, një prej të cilëve ishte dhe gjyqtari Skerdilajd Konomi, bie në dy zona kadastrale, njëra prej të cilave, pikërisht ajo e Rrushkullit, është e paazhornuar, pasi mungojnë hartat hipotekore. Përveç problemeve të karakterit teknik, me të cilat po merret grupi i përbërë nga katër juristë dhe katër hartografë, ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Lartë deri më tani nuk është bërë, pasi më 4 tetor Hipoteka e Durrësit është njoftuar për rekursin e bërë nga Avokatura e Shtetit. Ky institucion i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për rishikim dhe prishje të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Durrësit dhe lënë në fuqi nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, ekzistojnë dhe dy vendime të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për marrjen e masës së sigurisë së padisë, të cilat çojnë në kufizimin e pasurisë. Është fjala për afro 290 hektarë sipërfaqe me zëra kadastralë të ndryshëm (pyll, kënetë etj.), mbi të cilat kanë pretendime dhe trashëgimtarët e familjes Toptani. Regjistruesi i Durrësit shprehet se, kërkesa për regjistrim është brenda afateve kohore dhe se Zyra nuk punon dot me urgjencë kur prona ka një problem dhe kjo vlen në çdo rast. E gjithë sipërfaqja e përfituar shkon në 1650 hektarë, të cilët kanë hedhur dritë mbi trashëgimi të mëdha në një nga zonat më me perspektivë për sa i përket turizmit elitar në vendin tonë.

Procedura

Më 21 shtator të këtij viti, nga ana e z. Daniel Shandro, përfaqësues me prokurë i trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, është aplikuar vendimi nr.314 i datës 14.06.2011 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Më 30 shtator, ZVRPP, Durrës i kërkon qytetarit të plotësojë dokumentacionin me skicë të shkallës së kërkuar, si dhe planet e rilevimit për pjesët që nuk preken nga kufizimi i pasurisë. Më 4 tetor, dokumentacioni është plotësuar nga të interesuarit për regjistrim, por në të njëjtën ditë Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ZVRPP Durrës njoftohen se, në datën 4 gusht, Institucioni i Avokaturës së Shtetit ka paraqitur kërkesë për rishikim vendimi gjyqësor të formës së prerë.

Më datën 5 tetor, me shkresën nr. 4082, përfaqësuesi ligjor i trashëgimtarëve është njoftuar se është bërë kufizimi i disa pasurive bazuar në vendimet nr.380 të datës 13.8.2011 dhe nr. 12072 të datës 22.07.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt: “marrjen e masës së sigurisë të padisë”, vendime këto që janë aplikuar pranë ZVRPP-së Durrës, më 29 gusht të këtij viti, me nr. kërkese 1823.

Top Channel