Menaxhimi i integruar i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon kohë
dhe negociata shtesë nëse synohet një marrëveshje e mundshme. Ky është
mendimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Para takimit të shtatë të mbajtur në Bruksel, ishte paralajmëruar se të dyja delegacionet do të mund të nënshkruanin një marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit, me të cilën besohej se mund t’i kontribuohej edhe uljes së tensioneve në veri të Kosovës. Por, pas takimit doli se palët qëndrojnë mjaft larg në pozicionet e tyre lidhur me këtë çështje.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Catherine Ashton, thotë se për këtë temë ka nevojë të vazhdojnë diskutimet.

“​“Mendoj se rreth kësaj çështjeje është diskutuar, siç e kemi thënë edhe në njoftimin për media, por për këtë temë do të bisedohet edhe më tej”, thotë Kocijançiç, bën me dije Europa e Lirë. Duke mos shpalosur shumë detaje të pikave që janë të pranueshme dhe të papranueshme për palët në bisedime, Kocijançiç vetëm potencon atë se kjo temë ka nevojë të trajtohet në të ardhmen.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore e palës kosovare në dialogun me Beogradin, thotë se pozicioni i Prishtinës mbetet i pandryshuar dhe se çdo marrëveshje eventuale, sipas saj, do të jetë mbi parimet evropiane dhe e nivelit ndërshtetëror.

“Ne pranojmë një model evropian sipas ligjeve evropiane, por ajo që nuk pranojmë është çfarëdo tendence e palës serbe për ta politizuar këtë çështje. Pozicioni ynë është i qartë që ky model evropian ka të bëjë me të gjitha pikat kufitare që janë me Serbinë, fjala është për gjashtë pika kufitare, dhe zakonisht këto modele zbatohen duke vendosur godina të përbashkëta me zonën neutrale”, deklaron Tahiri.

Kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se pala serbe është munduar që bisedimet t’i paraqesë si negociata për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Kjo temë, sipas Tahirit, nuk ekziston në këtë dialog dhe potencon se për Prishtinën është e pranueshme vetëm marrëveshja që bazohet mbi parimet dhe modelet tashmë të njohura evropiane.

Top Channel