Dhjetë orë pas një përleshje të fortë ndërmjet forcave të KFOR-it dhe serbëve të Jagjenicës, të Zubin Potokut, ku u plagosen rreth 25 ushtarë të KFOR-it dy prej tyre me armë zjarri, KFOR tregon “dhëmbët”.

Për herë të parë pas shumë përleshjeve ndërmjet trupave të KFOR-it dhe protestuesve forcat e NATO-s njoftojnë se, në rast se edhe një herë rrezikohen ushtarët e KFOR-it, këta të fundit do t’i përgjigjen sulmit me plumba të vërtetë dhe jo më me gaz lotsjellës dhe me plumba gome.

“KFOR-i nuk dëshiron të vrasë askënd, por po e përsërisim që në rast se edhe njëherë ushtarët tanë gjenden në situata kur jeta e tyre rrezikohet, ata do të përgjigjen me plumba të vërtetë”, është përgjigjja e KFOR-it.

Situata në fshatin Jegenicë sipas një ushtari gjerman në këtë pikë raportohet të jetë e qetë, por ekipit tonë nuk iu lejua të vazhduar rrugën deri tek vendi i përleshjes e cila gjendet pak metra më tutje.

Në këtë zonë tashmë janë sistemuar një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it, ndërkohë me tej vërehet prezenca e shtuar edhe e grupeve serbe. Gjatë natës është njoftuar se pjesëtarët e KFOR-it kanë djegur dy tenda të mëdha, prej të cilave dyshohet se serbët lokalë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të KFOR-it.

Dhuna ka shpërthyer pas sulmeve të serbëve të cilët kanë përdorur mjete eksploduese dhe koktej molotovi. Ndërkohë njoftimi i KFOR-it i cilëson protestuesit të dhunshëm dhe kriminalë. Me gjithë këtë situatë të tensionuar ushtarët e KFOR-it gjerman duket se janë bërë gati të presin edhe festat e fundvitit në një pikë të improvizuar kontrolli.

Teksa situata e sigurisë vazhdon të mbetet e brishtë, as qytetarët shqiptarë dhe as ata serbë të veriut frikohen të komentojnë rreth saj.

Pershkallezimi i situatës në veri duket se i ka kushtuar rëndë Serbisë. Sipas gazetës “Novosti” të Beogradit shkak i zhvillimeve në veri të Serbisë i janë zvogëluar gjasat që para 9 dhjetorit të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Top Channel