Serbët në veriun e Kosovës ndihen të zhgënjyer nga apeli i presidentit serb Boris Tadic për largimin e barrikadave, pasi kjo binte ndesh me interesat e Serbisë.

Kështu ka deklaruar kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristic, ndërkohë që homologu i tij në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantic është shprehur i hutuar nga deklaratat e kreut të shtetit serb.

Sipas raportimeve të “Kosovapress”, krerët e strukturave paralele serbe do të mblidhen më vonë gjatë së enjtes, në një takim të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar kërkesën e Tadic.

Sipas burimit, gjasat janë që strukturat ilegale t’i drejtojnë një apel Kuvendit të Serbisë për të dalë me një qëndrim të qartë dhe të ndryshojë kursin e politikës serbe nën udhëheqjen e Tadic.

Dy ditë më parë presidenti Tadic u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të tërhiqen përfundimisht nga barrikadat.

Burime të televizionit B92 raportuan se Tadic kishte ftuar serbët e veriut që të tërhiqenshin nga barrikadat dhe të kontribuonin në ruajtjen e interesave kombëtare të Serbisë.

Por, me gjithë thirrjet dhe paralajmërimet për heqjen e barrikadave, serbët tregohen të vendosur dhe të paktën deri mbrëmjen e së mërkurës nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Edhe pas disa takimeve ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të KFOR-it nuk u arrit asnjë marrëveshje për lirimin e rrugëve.

Top Channel