Pastro shtëpinë në më pak se një orë

03/12/2011 00:00

Ta mbash vazhdimisht në rregull shtëpinë është gati e pamundur. Po ashtu
në kohët e sotme, kur të gjithëve na duhet të vrapojmë për të
përfunduar punët tona, të kujdesesh për pastrimin e saj është akoma edhe
më e vështirë.

Na ndodh të gjithëve që të kthehemi nga puna vonë, shtëpinë e gjejmë rrëmujë dhe ajo që është më shqetësuese është se disa miq apo të afërm na kanë telefonuar se do të na vijnë për vizitë. Ndaj sot po ju japim disa këshilla se si ta pastroni shtëpinë tuaj në më pak se një orë. Kujdes, mbani parasysh tri keshilla: Ju duhet një plan, duhet të jeni të shkathët dhe të mos t’i riktheheni për të dytën herë një ambienti, të cilin mendoni se e keni pastruar.

Dhoma e gjumit. Koha që duhet për ta pastruar: 10 minuta

Pastroni dyshemene nga objektet që mund të kenë rënë në toke. Futni në një kosh rrobat e palara. Me sa keni mundësi rrobat e pastra mund t’i sistemoni shpejt e shpejt nëpër rafte. Kini parasysh që krevati duhet të rregullohet në mënyrë perfekte. Sa më i rregullt të jetë shtrati aq më e rregullt do të jetë edhe dhoma. Fshini pluhura sa më shpejt të jetë e mundur me anë një cope që duhet ta keni zgjedhur me kujdes që të mos lerë asnjë grimcë pas.  Mos harroni: Ju keni dy duar, mund t’i vini në përdorim për të pastruar në të njëjtën kohë sipërfaqe të ndryshme.
Në fund përdorni fshesën me korrent, duke u përpjekur që ta kaloni kudo, por edhe nuk ia dilni mos u shqetësoni, tashmë dhoma juaj e gjumit duket në rregull.

Banjo. Koha e pastrimit: 9 minuta

Duhet të përdorni për pastrimin e banjës një spraj që përdoret për sipërfaqe të ndryshme. Shpërndajeni lëngun pastrues në të gjithë pajisjet e banjës si dhe në dysheme. Me shpejtësi kaloni copën pastruese nëpër të gjithë pajisjet. Kujdes në pastrimin e tualetit, i cili kërkon një detergjent larës më të fortë. Pasi të keni mbaruar punë me pajisjet me një copë të lagur të thjeshtë pastroni pasqyrat dhe pllakat përreth. Në fund pastroni dyshemene dhe banjo duket për mrekulli.

Kuzhina. Koha e pastrimit: 12 minuta

Gjëja e parë që duhet të bëni është të sistemoni pjatat urgjent. Nëse keni pjatalarëse aq më mirë sepse mund t’i sistemoni aty. Nese nuk keni pastroni sa me shpejt tenxheret per t’i hequr qafe. ndersa pjatat per momentin mund ‘t’i sistemoni’ ne ndonje hapesire te kuzhines tuaj qe te mos duken. Përpiquni që suprinat e kuzhinës së gatimit të jenë sa më të rregullta dhe të pastra. Spraj shumëfunksionësh do të ishte shumë i mirë për të hequr pluhurin nga frigoriferi dhe pajisjet e tjera.

Dhoma e ndenjes. Koha e pastrimit: 15 minuta

Së pari vendosni rregull. Vendosni në rregull telekomandat, vini mbi një vend të caktuar revistat të cilat i keni lënë aty-këtu, sistemoni librat. Spraj shumëfunksionësh sërish do ju hyjë në punë. Merrni pluhurat, po ashtu pastroni pjesët e dukshme të xhamave.Kaloni me shpejtësi edhe fshesën me korrent në këtë ambient dhe tani po, shtëpia juaj shkëlqen dhe ju madje keni kohë disa minuta para se të mbërrijnë miqtë për t’u përgatitur për veten tuaj.

Top Channel